Solis: “PBDNJ-ja do të shqyrtojë ftesën e Berishës për bashkëqeverisje”
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut duket se ka vendosur ta shqyrtojë dhe njëherë ftesën e kryeministrit Berisha për bashkëqeverisje. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ish-deputeti i kësaj partie, Leonard Solis, është shprehur dje gjatë një prononcimi për mediat se shumë shpejt PBDNJ-ja do mbledhë strukturat e larta vendimmarrëse të partisë për të diskutuar ftesën e Berishës dhe për të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje. “Shumë shpejt do të mbledhim të gjitha strukturat tona dhe do t’u përmbahemi të gjitha fjalëve që kryetari i PBDNJ-së ka deklaruar”, - është shprehur Solis. PBDNJ-ja, pas katër vitesh në pushtet me Partinë Demokratike, nënshkroi një marrëveshje paraelektorale me Partinë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit, por në përfundimin e tyre, partia e Dules lëshoi akuza të ashpra për vjedhje votash kundrejt aleatëve socialistë, ndërsa atëherë, vetë kryetari i PBDNJ-së e përjashtoi mundësinë e rikthimit në qeveri. Por, me ftesat e herëpashershme të kryeministrit Berisha pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe qëndrimet e kundërta me PS-në, duket se po e afrojnë gjithnjë e më tepër rikthimin e partisë së minoritetit grek në qeverinë e re, për të cilën Solis shprehet se do ta ketë jetën e gjatë. “PD-ja ka fituar. PS-ja nuk ka fituar zgjedhjet për mënyrën se si erdhën. Unë parashikoj një mandat 4-vjeçar të koalicionit PD- LSI dhe nuk parashikoj kriza”, - thotë Solis. Megjithatë, ftesa e Berishës mësohet se ka krijuar një përçarje të PBDNJ-së, pasi një pjesë e anëtarëve nuk duan t’i bashkohen qeverisë me pretekstin se pjesë e qeverisë do të jetë dhe partia e komunitetit çam, PDI, me të cilën PBDNJ-ja ndan qëndrime të ndryshme. Pritet mbledhja e strukturave vendimmarrëse të PBDNJ-së, të cilat do t’i japin përgjigje ftesës së Berishës në rast se do ribashkohen ose jo me PD-në.
29 Gusht 2009