E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka, qytetet që kanë probleme me mbivendosjet



Laureta Rryçi

Tiranë - Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjashtë muaj pas nisjes së aplikimit për ankesat ndaj mbivendosjeve, zbardh hartën me qytetet më me shumë probleme në lidhje me këtë fenomen. Burime pranë këtij dikasteri pohuan se tashmë janë evidentuar shifrat e para zyrtare duke përcaktuar kështu edhe zonat më problematike në të gjithë vendin, ku pretendohet të jetë abuzuar më tepër me pronat. Sipas të dhënave në raportin e fundit të dalë nga Hipoteka rezulton se janë depozituar në të gjithë vendin rreth 350 kërkesa për fshirje të mbivendosjeve. Shifrat tregojnë se zona më e nxehtë është kryeqyteti, ku njerëzit kanë më tepër interesa për të marrë aktet e pronësisë. Më pas vijnë qytetet bregdetare, ku me sa duket qytetarët kanë gjetur si të vetmen mënyrë që të rimarrin pronën e tyre ndërsa figuron e regjistruar me më shumë se tre pronarë. Statistikat tregojnë gjithashtu se ankesa të shumta në lidhje me këtë problem ka edhe në zonat juglindore të vendit, në Pogradec dhe Korçë. Muajt e fundit janë shqyrtuar dhjetëra kërkesa të ardhura vetëm nga këto qytete. Qytetarët i janë drejtuar kryeregjistruesit pasi nuk kanë qenë dakord me vendimin e drejtuesit të zyrës vendore ku është e regjistruar prona për të cilën ata kanë ngritur pretendimin.
Kërkesat
Pas miratimit të ligjit për fshirjen e pronave të mbivendosura, qytetarët që kishin të tilla probleme me pronën e tyre nisën ankesat që në ditët e para të janarit të këtij viti. Pasi kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, këto kërkesa kanë arritur një numër të konsiderueshëm duke treguar se mbivendosjet ekzistojnë pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit. Më së shumti ky problem duket se është më i dukshëm në zonat bregdetare, atje ku dhe toka ka një çmim më të lartë. Për të shqyrtuar këto ankesa, kryeregjistruesi ka ngritur një grup pune që, pasi shqyrton dokumentacionin, dërgon relacion për secilën ankesë. Specialistët pranë këtyre zyrave shpjegojnë se shifrat e mëposhtme u përkasin muajve që lamë më pas. Ata shpjegojnë se kur të dalin shifrat përfundimtare për të gjitha qytetet mendohet se do të jenë disa herë më shumë duke treguar kështu një pasqyrë më reale të këtij fenomeni. Shifrat kanë vënë në vend të parë kryeqytetin si më me shumë probleme për pronat, më pas vjen qyteti i Lezhës, Vlorës, Shkodrës, Korçës dhe Durrësit.
Urdhri
Në vitin 2008, kreu i Zyrës qendrore të Pasurive të Paluajtshme të Pasurisë, Arben Qirjako, dha alarmin se me regjistrimin e pronave ishte abuzuar duke krijuar kështu dhjetëra mbivendosje. Sipas këtij urdhri, në të gjitha rastet ku figuron se pasuria e fituar me “Akt të marrjes së tokës në pronësi” figuron e regjistruar në regjistrat e Zyrës së Regjistrimit, mbi bazën e dublikatës do të pezullohet deri në verifikimin nga ana e regjistruesit për përputhshmërinë e aktit me të cilin është bërë regjistrimi. Kjo përputhshmëri përfshin “Aktin e marrjes së tokës në pronësi” të së njëjtës familje bujqësore, nëse ndodhet në Zyrën e Regjistrimit si dhe të dhënat që tregojnë dokumentet e tjera mbi bazën e të cilave është lëshuar ky akt. Pas këtij urdhri, në çdo rast që do të paraqitet në ZVRPP për regjistrim me dublikata, regjistruesi duhet të refuzojë këtë regjistrim. Një kopje e këtij urdhri është afishuar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të ZVRPP-ve, një kopje iu është dërguar qarqeve, komunave, bankave të nivelit të dytë që operojnë në treg, si dhe rast pas rasti personave të interesuar. Në bazë të këtij urdhri nisën të kalonin në sitë dhjetëra hektarë tokë, të cilat rezultonin me dokumente se ishin prona e disa personave të ndryshëm. Aktualisht një pjesë e mirë e këtyre ankesave e kanë marrë përgjigjen nga kryeregjistruesi. Qytetarët që sërish nuk kanë qenë dakord me këtë vendim, kanë pasur të drejtë t’i drejtohen gjykatës për ta ankimuar vendimin. Pas këtij veprimi procedural, gjykata thotë fjalën e fundit se e kujt është prona. Vendimi i formës së prerë është i detyrueshëm edhe për drejtuesit e hipotekave.

Procedura për fshirjen e mbivendosjeve
Këshilli i Ministrave, gjatë vitit 2008, miratoi procedurën që do të ndiqej për fshirjen e mbivendosjeve. Falë këtij vendimi, pritej që shumë prej qytetarëve do të humbin pronësinë mbi ato prona që kanë marrë regjistrimin duke abuzuar me ligjin. Sipas këtij ligji duhet të fshihej regjistrimi i të gjitha pronave kur për të njëjtën pasuri ishin bërë dy a më shumë regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, duke krijuar mbivendosje. Në këtë rast fshihen regjistrimet e kryera, pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil. Fshirja e regjistrimeve ishte kompetencë e kryeregjistruesit. Ky i fundit e merrte këtë vendim me kërkesë të regjistruesit të zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin Nr. 8485, datë 12.4.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, në Nenin 10, të Ligjit Nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në përputhje me përcaktimet e këtij udhëzimi. Kryeregjistruesi bën fshirje të regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur për të njëjtën pasuri ka më shumë se një regjistrim, pavarësisht faktit se për çdonjërën prej tyre, pas regjistrimit në origjinë (për herë të parë të titullit të pronësisë) janë kryer një apo më shumë transaksione, pjesore apo për të gjithë pronën dhe pavarësisht nëse ndonjëri apo të gjitha këto regjistrime janë kryer në regjistrat e ish-hipotekës apo regjistrat e krijuar nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

Statistikat për kërkesat sipas qyteteve për fshirjen e mbivendosjeve

ZVRPP–të Kërkesat Vendimet Në trajtim

Sarandë 2 1 1
Lezhë 27 6 21
Krujë 3 1 2
Mat - - -
Lushnjë 3 1 2
Kurbin - - -
Tepelenë 2 1 1
Kukës - - -
Berat 2 1 1
Vlorë 16 5 11
Korçë 40 3 22
Mallakastër 1 1 -
Elbasan 6 - 6
Dibër - - -
M. Madhe 1 1 -
Skrapar - - -
Durrës 27 7 22
Përmet 1 - 1
Has - - -
Gjirokastër 10 1 9
Tropojë - - -
Fier 10 8 2
Mirditë 1 - 1
Pukë - - -
Pogradec 22 3 7
Bulqizë - - -
Librazhd 1 1 -
Kuçovë 1 1 -
Gramsh 3 1 2
Ersekë - - -
Shkodër 25 4 25
Peqin 1 - 1
Tiranë 125 4 99
Kavajë 5 4 1
Devoll - - -
TOTALI 350 55 237

29 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›