I sëmuri mendor: Vrava plakën se më bërtiti
ELBASAN- Vrasësi i 91- vjeçares Farije Rrançi, ka treguar dje në policinë e Elbasanit rrethanat në të cilat e ka kryer krimin makabër. Me fjalë të turbullta dhe të palidhura ai ka thënë se ka qenë duke kaluar kur ka parë plakën, e cila i ka bërtitur. Kaq ka mjaftuar që ai të merrte kosën e ferrave dhe ta godasë në fyt duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai është nisur në këmbë drejt shtëpisë në fshatin Labinot Mal. Disa banorë të zonës e kanë parë me gjak në rroba dhe për këtë kanë njoftuar policinë. Pas verifikimit të gjakut ka rezultuar se ai ishte i njëjtë me viktimën. Sipas policisë, dëshmia e 50 -vjeçarit Adem Balla nuk do të merret parasysh pasi ai rezulton në një gjendje të rënduar psikike. Por sipas policisë, provat e gjakut vërtetojnë autorësinë e krimit të 50- vjeçarit, i cili pritet të përballet të mërkurën me masën e sigurisë.