E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi, dhunohen zyrat e Dhomës së Tregtisë Britanike

Dhunohen zyrat e Dhomës së Tregtisë Britanike në Tiranë, ndërkohë që denoncuesit kanë ngritur dyshimet se kjo është kryer nga një ish-punonjës i tyre. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se në orën 10:10 të dy ditëve më parë ka telefonuar në sallën operative një punonjës i Dhomës së Tregtisë Britanike, se ngjitur me Njësinë Bashkiake nr. 1 dhe 2 ka ndodhur një dhunim i zyrave. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka konstatuar se në rrugën "Mihal Grameno", në ambientet e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Britani e Madhe, me president shtetasin Zenel Mustafa Hoxha, 50 vjeç, persona të paidentifikuar kanë dëmtuar kompjuterët, dokumentet, si dhe kanë shkruar me sprait muret e zyrës. Policia tha se në lidhje me këtë rast u kryen veprimet procedurale, ku u bë shoqërimi si i dyshuar për shtetasin Pëllumb Muharrem Goxhaj, 57 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë. Sipas policisë, shoqërimi i tij u krye pasi, nga deklarimet e të dëmtuarit, Pëllumb Goxhaj është i vetmi person që ka konflikt, sepse para dy javësh e ka pushuar nga puna. Megjithatë, policia tha se po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe pas konsultimit me prokurorin, Pëllumb Goxhaj u la në gjendje të lirë. Materialet do t‘i kalojnë prokurorisë për veprën penale të "shkatërrimit të pronës".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›