E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët kërcënojnë me bllokim të rrugës

Të pakënaqur nga vendimi i qeverisë për dëmshpërblimin e apartamenteve, banorët e pallatit të shkatërruar, në ditën e katërt të grevës së urisë, kanë marrë vendim kolegjial për përshkallëzimin e formës së protestës. Bllokimi i aksit nacional Gjirokastër-Kakavijë disa metra poshtë vendit ku ndodhi tragjedia, për ta është një formë presioni mbi qeverinë për të marrë në konsideratë kërkesat e tyre për t‘i dëmshpërblyer në masën më të madhe. Dje, në orët e mesditës, grevës i janë bashkuar edhe gra dhe fëmijë, në shenjë mbështetjeje për atë çfarë pretendojnë se është e drejta e tyre, për të kërkuar dëmshpërblim të drejtë. Në vendin ku u ngujuan për katër ditë me radhë kanë qëndruar për orë të tëra gratë dhe fëmijët e grevistëve, por aty nga orët e vona të pasdites, grumbulli i tyre është pakësuar. Shkak është bërë kërkesa e vazhdueshme e grevistëve për t‘u larguar, pasi momenti për të hyrë në grevë do të vijë pas disa ditëve dhe se kjo do të ishte sinjali SOS për ta. Me lot në sy, gratë e grevistëve kanë apeluar tek autoritetet shtetërore për të marrë paratë e apartamenteve të rrëzuara. Në një hapësirë gati 45 metra katrorë, të gjithë grevistët e urisë kanë hyrë të qetë dhe të vendosur për të qëndruar deri sa kërkesat e tyre të gjejnë zbatim nga qeveria shqiptare. Në rast të kundërt, rrugëzgjidhje nuk ka përveç vdekjes. Efektet e para greva i ka dhënë te tre banorë, njëri prej të cilëve, Ibrahim Braho, pësoi një krizë kardiovaskulare, por që u arrit të frenohej në kohë. Sipas kardiologut Përparim Selfo, gjendja e të sëmurëve me tension të lartë është paraqitur mjaft serioze gjatë orëve të natës së të mërkurës, por më keq ka qenë i moshuari Braho, i cili ka rrezikuar jetën. Dy grevistët e tjerë janë përcjellë në ambientin e grevës, pasi kanë marrë trajtimin mjekësor. Edhe dje në mëngjes, gjendja e tyre ka qenë kritike. Ndërkohë, edhe pas apelit të mjekut Dilaver Stroka për ndërprerjen e grevës, Ibrahim Braho, i shoqëruar edhe nga i biri, Maksi, është bashkuar me shokët në ambientet e reja të grevës, nën rrënojat e pallatit të shembur, ku pritet që të qëndrojnë deri në sekondën e fundit. Me një letër drejtuar Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, grevistët kanë kërkuar leje për organizimin e një tubimi sensibilizues në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, duke mos fshehur madje edhe tentativën për bllokim të saj. Mirëpo kjo kërkesë duket se nuk ka mbërritur në Policinë e Gjirokastrës. Zëdhënësi Gentian Mullai tha për gazetën se nuk ka mbërritur zyrtarisht ndonjë kërkesë nga banorët grevistë që të kërkojnë organizimin e një tubimi të tillë. Por nga ana e tyre, grevistët si dhe ish-banorë të tjerë të pallatit të rrëzuar kanë qenë të vendosur që të përshkallëzojnë formën e protestës, duke paralajmëruar bllokimin e njëanshëm të rrugës nacionale si shenjë e qartë kundër qeverisë, për dëmshpërblimin e apartamenteve të zhdukura. Ka pasur propozime që protesta të zhvillohet para godinës së Bashkisë së Gjirokastrës, në katin e tretë të së cilës ndodhet edhe Prefektura, por këto zëra nuk janë marrë parasysh nga ata që qëndrojnë në grevën e urisë. Sipas tyre, e vetmja formë për marrjen seriozisht të kërkesave të tyre ndaj organeve shtetërore, është përshkallëzimi i protestës, duke bllokuar rrugën nacionale.

Presidenti u bën thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Gjirokastrës

Topi: Nxitoni me dëmshpërblimin

Presidenti i Republikës ka distancuar dje veten nga lista e zyrtarëve të lartë, të cilët, sipas banorëve të pallatit të shembur në Gjirokastër më 9 nëntor, nuk kanë mbajtur premtimet e bëra. Një ditë pas publikimit të një peticioni të 13 burrave nga Gjirokastra që janë futur në grevë urie për të kërkuar dëmshpërblimin, Presidenti Bamir Topi ka dalë me një deklaratë, me anë të së cilës bën thirrje për zgjidhjen e situatës.

Në deklaratën e shpërndarë dje nga zyra për shtyp e Presidencës, thuhet se "Presidenti i Republikës po ndjek me një shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur para disa javësh në Gjirokastër, të cilët janë ngujuar në këtë grevë, pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre".

Më tej, në këtë deklaratë thuhet se Presidenti i Republikës inkurajon strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor, që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e këtyre familjeve, të cilat kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t‘u sistemuar në kushte normale.

"Gjithashtu, Presidenti i Republikës inkurajon edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor", thuhet në këtë deklaratë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›