Rrihet polici i zonës, prangoset një 20-vjeçar
Një i ri nga fshati Cërnicë i Komunës Lekbibaj në Tropojë është ndaluar dje nga policia lokale me akuzën e goditjes së efektivit të policisë për shkak të detyrës. 20-vjeçari Kastriot Niklekaj, në bashkëpunim me dy vëllezër të tij adoleshentë, 15 dhe 16 vjeç, kishin rrahur efektivin e policisë së zonës, 38-vjeçarin E.D., duke e qëlluar me mjete të forta pas një sherri që kishte lindur në fshat mes tij dhe djelmoshave. Burime të policisë e klasifikojnë ngjarjen si goditje për shkak të detyrës, pasi polici ka synuar vendosjen e rendit. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Cërnicë, në orën 09:00 të paradites së të mërkurës, ndërsa i riu është vënë në pranga rreth orës 21:00 në banesën e tij. Rrahja e policëve të rendit nuk përbën lajm të rrallë në Rrethin e Tropojës. Një muaj më herët, dy të rinj rrahën në Lekbibaj një tjetër polic, i cili u dërgua më pas në gjendje të rëndë në spitalin e rrethit.