E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke i burgosi vëllain e sëmurë, var veten emigranti

Një 22-vjeçar nga lagja "29 Marsi" e qytetit të Patosit, emigrant prej gjashtë vjetësh në Greqi, është vetëvarur dy net më parë në qytetin e Pirgosit, Greqi. Familjarët e emigrantit Shkëlzen Sakaj tregojnë se ai është vetëvarur për shkak të burgimit të të vëllait, i cili ishte me të meta mendore, ndërkohë që kishte edhe raport mjekoligjor për sëmundjen. 22-vjeçari mësohet se i kishte humbur të gjitha shpresat për lirimin e të vëllait për festat e fundvitit dhe duke mos përballuar burgimin e tij, ka vendosur t‘i japë fund jetës. Ai ka pritur deri sa kushërinjtë me të cilët jetonte të largoheshin nga shtëpia dhe ka marrë kabllon e energjisë elektrike për t‘u vetëvarur. Trupi i pajetë ka mbërritur pranë familjes në Patos mëngjesin e djeshëm.

Shkëlzen Sakaj është vetëvarur mbrëmjen e së martës. në banesën që kishte me qira së bashku me disa kushërinj në qytetin e Pirgosit në Greqi. Ali Goxhaj, djali i hallës së të vetëvarurit, tregon se "mbrëmjen e së martës, rreth orës 17:30, ne të gjithë dolëm për një kafe jashtë, por Shkëlzeni nuk erdhi. Kur u kthyem, rreth tri orë më vonë, e gjetëm të varur me kabllon e llambës. Menjëherë njoftuam policinë e zonës, e cila mbërriti në vendngjarje dhe falë ndërhyrjeve tona mundi që të na lejonte transportin e trupit të tij për në Shqipëri". Aliu tregon se kushëriri 22-vjeçar kishte lënë në tavolinë një letër, si dhe një unazë. Në letër shkruante: Bëni të pamundurën për të më çuar në Shqipëri, ku duhet që prindërit të më qajnë. Të më falin, babi dhe mami, se kishin besim te mua, por nuk mundem. As vëllain nuk munda ta nxirrja nga burgu dhe vetë nuk jam mirë.

Kushëriri i viktimës tregon se letra është mbajtur si provë materiale nga policia e Pirgosit.

Familja e Shkëlzen Sakajt banon në lagjen "29 Marsi" të Patosit, pranë stacionit të autobusëve. Shkëlzeni jetonte në Greqi që nga viti 2002, kur kishte shkuar ilegalisht atje. Pak muaj pas mbërritjes në Greqi, ai arriti të merrte lejen e qëndrimit, por nuk mundi ta rinovonte në fillim të vitit 2008. Duke mos arritur të rinovonte dokumentet, Shkëlzeni vijoi të qëndronte ilegalisht në Greqi, duke punuar ku të mundej. Xhaxhai i tij, Sazan Sakaj, tregon se "ai ishte një djalë i qetë dhe kishte marrë mbi shpatulla gjithë barrën e familjes. Kjo barrë ishte e rëndë, pasi Qeremi, vëllai më i madh i Shkëlzenit, vuante nga një sëmundje mendore. Ai e mori vëllain në Greqi për ta vizituar dhe për të punuar pas shërimit, por nuk mundi...".

Halla e viktimës, Idajete Goxhaj, thotë se "vëllain e tij, Qeremin, policia e mbante në burg se e gjeti pa dokumente. Shkëlzeni kishte marrë që nga Shqipëria raportin mjekoligjor të të vëllait dhe ua kishte paraqitur autoriteteve greke, por ata nuk e liruan. Qamili është arrestuar në muajin korrik dhe me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Shkëlzenit për ta liruar, ai nuk ka dalë nga burgu. Kjo ishte arsyeja pse Shkëlzeni i dha fund jetës".

Prindërit, motrat dhe të afërm të tjerë të Shkëlzen Sakajt kërkojnë kthimin e vëllait të tij nga Greqia. "Nuk duam asgjë më shumë, vetëm të na kthehet Qeremi, ta lënë të lirë. Edhe pse i sëmurë, ne e duam të na e kthejnë. Ai nuk e di se çfarë ka bërë vëllai, pasi është i papërgjegjshëm", thotë Samiu, babai i të vetëvarurit. Familjarët thonë se do të shkojnë pranë ambasadës greke në Tiranë për të bërë prezent shqetësimin e tyre, por kërkojnë që edhe autoritetet shqiptare të reagojnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›