Rrugorët bëhen gati për "rrëmujën" e festave
Afrimi i festave të fundvitit ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Pesha kryesore e sigurimit të festimeve të qeta dhe të sigurta i ka rënë sektorit të policisë rrugore. Pikërisht kjo polici ka hartuar një plan masash kryesisht për disiplinimin e trafikut në qytet, por dhe në rrugët nacionale. Me rastin e festave, eksperienca ka treguar se ardhja e emigrantëve pranë familjeve ka sjellë dhe pasoja të rënda për trafikun në Fier. Nisur nga kjo, policia rrugore e Fierit ka hartuar një plan masash. Sipas kreut të rrugorëve të Fierit, Pëllumb Këçuku, kjo polici do të jetë në gatishmëri të plotë 24 orë, por edhe do të shtojë numrin e punonjësve në postblloqe dhe shërbime ditore. Këçuku thotë se "masat konsistojnë në patrullimin 24 orë të të gjitha akseve kryesore rrugore, me oficerë, patrulla të përgjithshme dhe me mjete policie".