E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi i Fiks-it, nisin hetimet në Korçë

Shoqata e invalidëve

Nis ndjekja penale për një punonjëse të shoqatës së invalidëve në Korçë, me akuzën e korrupsionit gjatë ushtrimit të detyrës. Sektori i Antikrimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Korçë ka filluar hetimet për shtetasen Rajmonda Jaupi, 52 vjeçe, punonjëse e shoqatës së invalidëve për Qarkun e Korçës. Policia tha se kjo punonjëse ka abuzuar me detyrën, duke i kërkuar një shtetaseje nga rrethi i Kolonjës një shumë prej 2800 lekësh për ta pajisur atë me librezën e invaliditetit. Këto lekë i ka përfituar punonjësja Rajmonda Jaupi, e cila ndërkaq ka prerë një faturë me vlerën 700 lekë dhe pjesën tjetër e ka përdorur për interes të saj. Denoncimi është bërë fillimisht publik nëpërmjet emisionit “Fiks Fare” dhe më pas Antikrimi Ekonomik i Policisë së Korçës ka filluar hetimet kryesisht për këtë rast abuzimi me detyrën. Mbi bazën e denoncimeve publike të emisionit “Fiks Fare”, Antikrimi Ekonomik i Policisë rajonale të Korçës ka hapur ndërkaq edhe dy hetime të tjera procedurale. Nën hetim aktualisht është kryetari i Komunës së Udënishtit në rrethin e Pogradecit, i dyshuar për abuzim me tenderët, si dhe tre punonjës të komisionit të dhënies së patentave në Korçë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›