E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e Arbrit, dëmshpërblim vetëm për të bardhët

Bulqizë
Gjashtë familje rome ankohen se nuk kanë marrë asnjë lek për tokën e zënë

Rikthehen problemet me shpronësimet në Rrugën e Arbrit. Janë gjashtë familje rome nga fshati Sofroçan i Komunës Zerqan, në rrethin e Bulqizës, që ankohen se ende nuk janë dëmshpërblyer nga dëmet e shkaktuara nga ndërtimi i lotit të parë të Rrugës së Arbrit, Bulqizë-Ura e çerenecit. Sipas këtyre banorëve, dëmet e shkaktuara nga ndërtimi i kësaj rruge, lidhen si me sipërfaqen e tokës ku kalon traseja e rrugës, ashtu edhe me dëmtimin e dhjetëra rrënjëve të pemëve frutore, si dhe shtimin e rrezikut të shembjes së këtyre shtëpive. “Jemi gjashtë familje të një gjaku, me 34 frymë, që nga dëmtimet e shumta që na ka sjellë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, nuk jemi dëmshpërblyer për asgjë deri më tani, gjë e cila nuk ka ndodhur me banorët e tjerë të fshatit tonë, thotë Bardhul Elmazi, njëri nga kryefamiljarët e këtij fisi. Banorët ankohen se janë të gjithë të papunë dhe nuk marrin as ndihmë ekonomike nga Komuna Zerqan. “Jam i sëmurë, por nuk kam lekë të blej ilaçet për t’u kuruar, ndaj kërkoj lidhjen e pensionit dhe ndihmës ekonomike, pasi edhe tre fëmijët i kam hequr nga shkolla, pasi nuk kam lekë për t’u blerë librat dhe fletoret”, thotë Ilmiu, një tjetër banor i kësaj zone. Sipas kryefamiljarëve, punimet kanë vënë në rrezik serioz banesat e tyre, pasi skrapata e rrugës ka shkuar deri në tre metra larg derës së shtëpive. “Toka pranë shtëpive është plasaritur pasi muri mbajtës i rrugës nuk u ngrit në lartësinë e duhur. Nuk jemi shpërblyer as për dëmtimin e pemëve frutore, si gjithë të tjerët”, vijojnë të tregojnë ata. Ndërkohë, banorët thonë se kanë kërkuar ndihmë nga pushteti vendor dhe deri te Kryeministri Sali Berisha, por deri më tani nuk u është dhënë asnjë zgjidhje. “Ndoshta kjo ka ardhur ngaqë jemi “të dorës tjetër”, thotë bashkëshortja e Bardhulit, Fatime Elmazi. Ndërkohë, mësohet se këto familje rome nuk janë dëmshpërblyer edhe nga dëmtimet prej tërmetit të 6 shtatorit. Banorët tregojnë se vetëm njëri prej tyre ka arritur të marrë vetëm 20 mijë lekë dëmshpërblim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›