Greva mbyll kufirin grek për kamionët dhe mallrat
Gjirokastër
Greva e doganierëve grekë ka bllokuar sërish kalimin e automjeteve në pikat kufitare me Greqinë. Deri ditën e premte pika kufitare e Kakavijës, çarshovës dhe ajo e Sopikut, do të jenë të kalueshme vetëm për këmbësorët. Ashtu siç ishte paralajmëruar, punonjësit e anës tjetër të kufirit janë futur në grevë 48 orëshe, pas kërkesave të vazhdueshme për marrjen e disa shpërblimeve që nuk i kanë përfituar deri në fund të vitit të kaluar dhe për kundërshtimin e reformave në sistemin doganor që ka marrë së fundmi qeveria greke në rrethanat e krizës që ka përfshirë financat e këtij vendi. Për këtë qëllim pikat e Kalimit Kufitar të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër nuk do të funksionojnë 48 orë për kalimin e automjeteve. Drejtoria e Policisë së Kufirit dhe Emigracionit në Gjirokastër ka njoftuar të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjet për në shtetin grek në këto data të marrin masa për të anuluar udhëtimet dhe të mos lëvizin në drejtim të këtyre pikave. Paralajmërimi është bërë për të shmangur radhët dhe për të mos krijuar konfuzion në këto pika kufitare me shtetin grek.
#