E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi i gruas: “Ndihmë, burri po më merr jetën”

Autori i Lajmit: red.
Policia e Tiranës është vënë në alarm nga një telefonatë tronditëse e një gruaje, që e kërcënuar nga një armë zjarri, denoncoi se po përgatitej fundi i jetës së saj, nga burri që kishte ndarë shtratin prej kaq kohësh. Burime nga policia bëjnë të ditur se N.Hoxha, 49 vjeçe, është gruaja që kërkoi ndihmë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se kjo e fundit dërgoi specialistët e Seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje dhe kreu arrestimin në flagrancë të 54-vjeçarit Osman Hoxha, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. ”Arrestimi i tij u bë pasi ka kanosur seriozisht për jetën bashkëshorten e tij, N.Hoxha, 49 vjeçe”,- konfirmoi policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Osman Hoxhës, u gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pistoletë model 54, tre krëhëra dhe njëzet e katër copë fishekë. Policia tha se për të dyshuarin, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “Kanosjes” dhe Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”.

Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›