E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-oficerët e SHIK-ut dëshmojnë për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Dy ish-oficerët e SHIK-ut në kohën që është zhdukur bisnesmeni Remzi Hoxha kanë dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Arjan Hysolli dhe Qerim Cako kanë treguar para togave të zeza lidhjet e tyre me të dyshuarit e kësaj çështje si dhe gjithçka dinin në lidhje me biznesmenin shqiptaro- maqedonas. Ish-oficeri të SHIK-ut, Qerim Cako, tha se atëherë ishte urdhëruar nga shefi i tij, Ilir Kumbaro, të ushtronte kontroll në automjetin e Remzi Hoxhës që ndodhej shumë pranë punishtes së tij në Shkozë. “Gjithçka që gjetëm në makinë”, - pohon Cako, - “ia dorëzuam ish-shefit Kumbaro dhe Arben Sefgjinit”. Dëshmitari i akuzës nuk ka specifikuar se çfarë gjendej në makinë.
Dëshmia
Dy ish-oficerë të SHIK-ut, Arjan Hysolli dhe Qerim Cako, kanë dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për dosjen “Remzi Hoxha”, biznesmenit të zhdukur. Arjan Hysolli dhe Qerim Cako u janë përgjigjur pyetjeve të palëve në proces në seancën e zhvilluar dje. Dëshmitari Qerim Cako tha se atëherë ishte urdhëruar nga shefi i tij, Ilir Kumbaro, të ushtronte kontroll në automjetin e Remzi Hoxhës që ndodhej shumë pranë punishtes së tij në Shkozë. “Gjithçka që gjetëm në makinë, - pohon Cako, - ia dorëzuam ish-shefit, Kumbaros, dhe Arben Sefgjinit”. Prokurorët e çështjes konfirmuan gjithashtu se do të kërkojnë një masë tjetër sigurie për Arben Sefgjinin dhe personat e tjerë të akuzuar për këtë ngjarje të rëndë të dhjetë viteve më parë.
Të akuzuarit
Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe janë të pandehurit e këtij procesi. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë.
Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga famija e Hoxhës. Ata kanë akuzuar si autor të rrëmbimit të të dashurit të tyre edhe ish-kreun e SHISH, Bashkim Gazidede.

Viti 1995
Zhdukja e Hoxhës dhe implikimi
i krerëve të lartë të SHIK-ut

Dosja e vjetër e zhdukjes së biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, që daton në vitin 1995, është rihapur nga Prokuroria. Ndërsa tashmë janë sërish nën hetim dhe krerë të SHISH-it, si të dyshuar në zhdukjen e mistershme të këtij biznesmeni. Deri tani janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar. Më 4 maj, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj, Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Tatimeve, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”.

Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›