E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulesat në albumin fotografik “Vlora ky qytet…” të Pirro Stefës

Nga Qerim Vrioni

Ishte kënaqësi e beftë dhe e veçantë çfletimi dhe kqyrja e albumit fotografik “Vlora ky qytet…” të arkitektit vlonjat Pirro Stefa. E veçante sepse shumë rrallë, të bien në dorë përmbledhje fotografish të vjetra dhe, të papritur për nga mënyra e përpilimit të tij. Fotografitë e botimit, në shumicën e tyre janë kartolina të bëra nga të huajtë, por ndër to ka edhe të realizuara nga fotografë shqiptarë. Ato mbulojnë, në një hapsirë kohore prej rreth 100 vitesh, thuajse gjithë ndërtimet, rrugët, banesat, institucionet, xhamitë dhe kishat, shkollat, tregjet etj, ku gjallonte gjithë bota e qytetit të Vlorës. Albumi shikohet me një frymë, madje shpesh duke iu rikthyer faqeve të mëparëshme për të përthithur më mirë çka kemi përpara. Autori ka bërë një punë serioze e, si gjithë punët e tilla dhe me dashuri. Fotografitë janë pwrzgjedhur, nga shumë më tepër në dispozicion (edhe kjo njw meritw e tij) me shije nga arkitekti i cili ka bërë njëherazi edhe punën e studiuesit të historisë. Kjo vërehet në ndarjen e fotografive jo simbas kriterit ndërkohor, por në bazë të përmbajtjes dhe subjektit të tyre dhe kjo përbën një nga meritat e autorit. Kështu, albumi është ndërtuar mbi nëntë kapituj që fillojnë me jetën qytetare dhe objektet e kulteve fetare, vazhdojnë me pamje urbane ose arkitekturore dhe përfundojnë me pamjet magjepsëse të gjirit të Vlorës. Por duke qënë se albumi mbulon një hark të gjatë kohe, renditja e fotografive në të duhet t’i nënshtrohej kriterit kronologjik, gjë që është vlerësuar mjaft nga autori. Kështu çdo kapitull fillon nga fotot më të vjetra dhe përfundon tek ato të ditëve të sotme. Arkitekti Stefa ka bërë kësisoj një gjetje interesante duke i dhënë albumit edhe ngjyrim shkencor. Kriteri kronologjik, pra renditja e përgjithëshme e fotove vetëm sipas “moshës” së tyre do t’a dëmtonte imazhin racional të tij, gjë që vërehet në shumë albume të qyteteve të tjerë të botuar në vend , duke përfshir këtu edhe atë të Tiranës. Me këto ndarje dhe nënndarje albumi “Vlora ky qytet…” , jep një shembull që mendoj se duhet ndjekur sa herë merren nisma të tilla.

Diçka tjetër interesante e botimit, që njëkohësisht përbën risi në këtë lloj publicistike, është edhe vendosja në hyrje të çdo kapitulli të grafikave (autori është mjaft fin në grafikë). Ato, si të thuash, janë prologe për përmbajtjen e asaj që vijon, por edhe me simbolikë të goditur, duke ngritur kështu edhe nivelin estetik të tij.

Sensi i profesionit të arkitektit e ka ndihmuar autorin t’i jap frymën e tij albumit, ndonëse ai nuk është autori i fotografive, por vetëm mbledhës dhe seleksionues i tyre. Albumi pasqyron jetën e vlonjatëve qysh prej fillimit të shekullit XX, nën varfërinë mallëngjyese të të cilëve ravijëzohet edhe fisnikëria karakteristike e tyre.

Ndër gjetjet e autorit është edhe ruajtja në fotografi e ngjyrës origjinale te tyre e, shikuesi duke i vështruar ato, shijon edhe sepjen e vjetër e të plotë të shumë fotografive e menjëherë të fut në histori, por edhe sikur na e afron goxha atë kohë të largët.

Albumi siç u tha edhe në fillim, fillon me njerëzit, “jetë qytetare” siç emërtohet kreu i parë, dhe përfundon me “panorama”, ëmbëlsira për në fund, peizazhi mahnitës bregdetar i Vlorës, edhe kjo është një goditje në shenjën e duhur e arkitektit artist.

Kqyrja me vëmendjen e duhur të këtij albumi bën të parakaloj nën sytë tanë historia qytetit të Flamurit që ka vend nderi në të shkuarën e kombit shqiptar, sidomos në këta njëqintë vitet e fundit, ndonëse autori nuk u ka dhënë vend ngjarjeve historike. Historinë e Vlorës sikur e prekim vetëm duke shikuar ndërtimet dhe vendet ku kanë kaluar jetën shumë breza qytetarësh të saj.

Fotografitë e albumit vërtetë i kanë bërë të huajtë, por gjithçka paraqitet brenda tyre është mundi dhe djersa e vlonjatëve që nga më të hershmit deri tek të sotmit. Shumë pamje të qytetit që shihen në faqet e albumit, ndërtesa sociale dhe banimi, rrugë, objekte të kulteve, madje dhe ndonjë kantier riparimi a mol akostimi anijesh, për arsye të ndryshme, nuk janë më. Humbja e tyre është një farë çmimi që duhet t’i paguaj qyteti të resë e modernes, që gjithsesi tregojnë zhvillim. Vendin e tyre e kanë zënë pamje të tjera, koha bënë të vetën, por nga albumi pasardhësit do te mësojnë dhe do dijnë më shumë si dhe ku kanë jetuar paraardhësit, e kjo nuk është gjë e vogël. Gjithashtu përmbledhja, mendoj se, në një farë mënyre, edhe këshillon të sotmit të mos e shkelin me këmbë djersën e të djeshmëve, se pasnesër do bëhen edhe ata të djeshëm. Edhe adhurimi i arkitektit Stefa për qytetin e tij është një shembull që rezaton vlera të mëdha shpirtërore.

Edhe nga pikpamja e shtypit, për albumin në fjalë është përdorur letra më e përshtatëshme, çka bënë që riprodhimet e fotografive të mos largohen shume nga origjinalet dhe fortësia e lidhjes të garantoj jetëgjatësi të pranushme.

Ky album fotografik tregon edhe për ndihmesën e pazevendësushme të fotografisë në perceptimin vizual të historisë së kombit tonë, thënë ndryshe, në prekjen me shqisën e të shikuarit të së shkuarës së shqiptarëve. Ndonëse me imazhe të përngrira, ai ngacmon mjaft fanatzinë e shikuesit të përfytyroj jetën e gjallë të një qyteti gjatë një ndërkohe prej rreth një shekulli.

Pirro Stefa e titullon albumin “Vlora ky qytet…” titull që përfundon me tri pika që mendoj se nuk janë vendosur rastësisht nga autori. Ato kanë një mori interpretimesh, ndër to edhe simbolika kohore e një qyteti me të shkuar, të sotme dhe të ardhme. Ndoshta edhe kështu jo, atë e ka në dorë secili që e veshtron mirë e mirë albumin, por një gjë është fare e qartë, vazhdimësia më e mirë e qytetit, përbën deshifrimin më të saktë të atyre tre pikave që mbyllin titullin e këtij albumi kaq interesant.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›