Meta: “PS-ja të ndërpres bojkotin për hir të integrimit”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të ndërpresë bojkotin dhe të hyjë sa më shpejt në Kuvend, për të kontribuar në reformat integruese, për të cilat ka nevojë vendi. Këtë deklaratë Meta e ka bërë nga Nju Jorku në Shtetet e Bashkuara, ku gjendet prej një jave për të ndjekur nga afër punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ministri i Jashtëm tha se opozita duhet t’i lexojë qartë mesazhet që po jep faktori ndërkombëtar. “Besoj se opozita do të dijë t’i lexojë mesazhet e qarta të komunitetit ndërkombëtar, por, mbi të gjitha, do të dijë të kuptojë domosdoshmërinë që kanë të gjithë shqiptarët për të fituar liberalizimin e vizave, që do të ishte një fitore jo vetëm shumë konkrete, por edhe një çlirim i madh psikologjik për shkak të një izolimi tepër kompleks që vjen nga e kaluara”, - tha Meta.
28 Shtator 2009