Hiqen ruletët, tani vetëm në kazinotë e licencuara
Ndryshimet në ligjin për kazinotë kanë hequr këtë javë tavolinat e ruletës duke lënë vetëm "sllot" makinat
TIRANË- Hiqen të gjitha ruletët nga Shqipëria. Aty ku më parë kishin mbirë si kërpudhat pas shiut, me mijëra tavolina ruletësh tashmë ndodhen vetëm vendet bosh. Ndryshimet e bëra në qershor të vitit të kaluar në ligjin "Për lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet" kanë zhdukur nga Shqipëria lojën më të njohur të kazinove në të gjithë botën. Tashmë i vetmi vend ku mund të aplikohet kjo lojë është kazinoja e licencuar nga shteti shqiptar.
Edhe pse prej vitesh një kompani kishte blerë të vetmen licencë për të pasur tavolina ruletësh në Shqipëri, me mijëra të tjera ishin ngritur në të gjithë vendin. Madje në zonat e konsideruara si luks për shqiptarët, siç është ish-Blloku në kryeqytet dhe "rrethinat" e tij, ishin hapur me dhjetëra ruletë elektronikë që mblidhnin me qindra lojtarë. Por në qershor të vitit të kaluar janë bërë edhe ndryshimet e fundit në këtë ligj, sipas të cilave, të gjitha këto makineri duhet të hiqen nga qarkullimi. "Nuk konsiderohen lojëra elektronike me fitim në çast makinat elektronike apo kompjuterët elektronikë, të cilët kanë më shumë se një pozicion loje. Lojëra elektronike me fitim në çast sipas këtij ligji, konsiderohen vetëm makinat e tipit "sllot". Personat, të cilët kanë instaluar makina elektronike apo kompjuter elektronikë, të cilët nuk konsiderohen si të tillë nga paragrafi i mësipërm, detyrohen t'i heqin ato brenda gjashtëmuajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji", thuhet në ligjin në fjalë. Sipas këtij ndryshimi, pikat e ndryshme të lojërave të fatit duhet të kenë vetëm makina dhe kompjuterë që kanë vetëm një vend për çdo makinë, por jo ruletë që variojnë nga gjashtë deri në dhjetë vende për çdo makinë. Një tjetër ndryshim i ligjit është edhe mosha e lejuar për lojtarët. Tashmë ajo do të bëhet 21 nga 18-vjeç që ka qenë.
Ligji është publikuar në fletoren zyrtare në muajin korrik dhe duhet të hynte në fuqi gjashtë muaj më pas. Kështu hyrja në fuqi e ligjit është bërë javën e parë të muajit janar dhe pikave të ndryshme që kanë pasur ruletë u është dhënë një javë kohë për t'i hequr ato. Duke nisur nga mëngjesi i 15 janarit, ruletët janë "zhdukur" nga Shqipëria. Ndryshimet në ligj kanë përcaktuar edhe vendet ku mund të ngrihen kazinotë e tjera në Shqipëri. Deri më tani në vendin tonë ekziston vetëm një kazino në kryeqytet, por licencat e tjera mund të jepen tashmë edhe në zonën turistike të Vlorës; zonën turistike të Sarandës; zonën turistike të Durrësit; qytetin e Tiranës dhe zonën turistike të Velipojës.
LOJA
Ruletë është loja më e famshme e kazinosë, e cila e ka marrë emrin nga Franca, ku kjo fjalë do të thotë "rrotë e vogël". Loja e krijuar për herë të parë në shekullin e 18-të, përmban një fushë (rrotë) me 37 numra, nga 0 tek 36. Fusha rrotullohet në një drejtim, ndërsa një zar i vogël në drejtimin tjetër rreth një sipërfaqeje të lëmuar përreth fushës. Topi bie në një prej numrave me ngjyrë të rrotës, 37 në Evropë dhe 38 në Amerikë. Lojtari mund të vendosë një bast mbi numrin fitues, ngjyrën e tij, nëse është numër tek apo çift etj.