Tatimet, gjoba për pagat e referencës
Ligji i gjobave po zbatohet për të penalizuar të gjithë bizneset që aplikojnë paga poshtë atyre të referencës
Konfindustria i ka kërkuar qeverisë që të pezullojë vendimin për pagat e referencës
Të gjithë bizneset që kanë deklaruar paga poshtë atyre të vendosura nga ana e Ministrisë së Financave për punonjësit janë gjobitur, ndërsa për të shtuar penalizimin e tyre ka ndihmuar edhe ligji i gjobave. Sipas bizneseve që janë të grupuara nga Konfindustria, pagat e referencës të kërkuara për t'u zbatuar nga ana e biznesit janë subjektive dhe shtojnë në mënyrë abuzive kostot e sipërmarrjes. "Zbatimi i ndëshkimeve të parashikuara prej Ligjit të Gjobave në rastet e dërguara pranë Konfindustrisë, për më shumë janë kryer duke marrë shkak një tjetër akt nënligjor subjektiv e mjaft të kundërshtuar nga Konfindustria, që është VKM përtë ashtuquajturat " Paga të Referencës". Bëhet fjalë për gjoba të drejtuara në mënyrë krejt absurde ndaj bizneseve krejtësisht të formalizuara dhe të rregullta me legjislacionin fiskal, që provojnë plotësisht me dokumentacion të rregullt kronologjikisht në kohë, se veprojnë vetëm në zbatim të ligjit", - bën të ditur Konfindustria. Ligji i Gjobave tashmë është apeluar nga sipërmarrja në Gjykatën Kushtetuese, si një ligj, që godet rëndë dhe penalizon pa të drejtë interesat e biznesit në kushtet e sotme, kur mungojnë tërësisht Gjykatat Administrative të pavarura nga ekzekutivi dhe kur të gjitha shkallët ankimore të mundshme janë tërësisht brenda vetë administratës fiskale. Ligji i Gjobave në mungesë të Gjykatës Administrative është në kundërshtim të plotë me të gjithë praktikën e BE-së, qartësisht e shprehur edhe në Raport Progresin për vitin 2007-të, paraqitur ndaj Qeverisë Shqiptare.
***
Biznesi kërkon nga ana e qeverisë që të saktësojë sa më shpejt me anë të akteve nënligjore, zbatimin e ligjit për pagat e referencës. Në këtë mënyrë, sipas Konfindustrisë qeveria duhet të sqarojë hollësisht të gjitha rastet kur dokumentacioni i paraqitur nga punëdhënësit, duhet te konsiderohet i plotë për nëpunësit tatimorë. Gjithashtu sipërmarrësit kërkojnë të rishikojë në themel vetë sistemin e pagave të referencës kur, bazuar në të dhënat e mjaft industrive të rëndësishme të vendit, kemi shmangie të konsiderueshme nga tregu real i punës. Në këto kushte Konfindustria ka kërkuar që qeveria të pezullojë deri në daljen e akteve nënligjore të hollësishme në zbatim të sistemit të përmirësuar të pagave të referencës, veprimin e aktit ligjor në fjalë.