E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Zgjedhjet, pragu elektoral deri në 3%

PDK paraqet paketën e saj për reformën zgjedhore
TIRANË- Partia Demokristiane mbështet rritjen e pragut elektoral deri në masën 3 për qind dhe një sistem zgjedhor proporcional-rajonal në shkallë vendi. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Ndue Shpani bëri të ditur dje se demokristianët janë duke hartuar një paketë për reformën zgjedhore, ku dy nga pikat kryesore do të jenë një prag elektoral deri në 3 për qind dhe një sistem zgjedhor proporcional-rajonal. Rritjen e pragut, Shpani e argumentoi duke thënë se, ai do të bëjë të mundur që të mos ketë parti artificiale që vegjetojnë nëpërmjet skemave të dushkut, ndërsa sistemi proporcional rajonal, tha ai, ul tensionet e krijuara gjatë dhe pas procesit zgjedhor, si dhe siguron një nivel më të lartë përfaqësimi në parlament "Për të pasur një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm PDK-ja gjykon se duhet të bëhet menjëherë përmirësimi i regjistrit të gjendjes civile, bërja efektive e numrit personal të çdo qytetari, riorganizimi i sistemit të adresave dhe lidhja e këtij sistemi me regjistrin civil, intensifikimi dhe regjistrimi i pasurive të çdo pasurie të paluajtshme", është shprehur sekretari i përgjithshëm Ndue Shpani, duke theksuar se duhet parë mundësia e ndryshimit të Kodit Zgjedhor edhe përsa i përket komisionerëve politikë, që deri më tani kanë dëmtuar legjitimitetin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›