Denoncimi në 2007: Dy persona me maska më dhanë lëng të helmuar
Eleonora denoncoi një tentativë vrasjeje në 2007, por hetimet e kryera nuk zbuluan asnjë gjurmë të autorëve. Sipas dëshmisë së asaj kohe, dy persona me maska i ishin futur nga dritarja dhe e kishin helmuar
Tiranë E vetëshpallura si shenjtore, Eleonora Bregu katër vite të shkuara denoncoi në polici një tentativë vrasjeje, nga dy persona të panjohur, për të cilët tha se kishin hyrë fshehtas në qendrën ku ajo banonte. Ngjarja në fjalë, që vijon ende të mbetet pa autor është regjistruar duke u gdhirë 24 maji i vitit 2007, kur sipas denoncimit të Eleonora Bregut, dy persona të maskuar kanë hyrë nëpërmjet dhomës së gjumit dhe e kanë detyruar me forcë të pijë një lëng të helmuar. Prokuroria asokohe ka kryer hetime për ngjarjen e klasifikuar si vrasje me dashje e mbetur në tentativë, duke zbardhur edhe rrethanat në të cilat pretendohet se ka ndodhur ngjarja, por pa bërë të mundur zbulimin e autorëve. Sipas dëshmisë së Eleonora Bregut, veprimet e kryera nga dy personat e maskuar që kanë hyrë nga dritarja në qendrën “Eleonorë” ajo i ka shkruar në një letër, pasi ndihej e pafuqishme dhe pas pak çastesh ka rënë në gjumë. Rreth orës 7:30 të 24 majit, besimtarët e qendrës kanë parë që drejtuesja e tyre “shenjtorja Eleonorë” nuk ka dalë si zakonisht. Në orën 9:30 vajza e saj ka hyrë në dhomën e gjumit dhe ka parë të ëmën në gjendje mjaft të dobët fizike dhe të zbehtë në fytyrë. Nga biseda, e bija ka mësuar se nënë e saj ishte detyruar të pinte një lëng të helmatisur nga dy persona të maskuar që kishin hyrë fshehtas në dhomën e saj të gjumit. Menjëherë është vënë në dijeni policia, e cila ka kryer veprimet e para, duke marrë në pyetje personat e pranishëm, ka marrë mostrat e gjakut për ekzaminim mjeko-ligjor. Por edhe pas hetimeve të policisë nuk është bërë e mundur të zbardhet ngjarja, ndërsa Eleonora është nisur drejt Turqisë për mjekim të specializuar. Në nëntor të vitit 2007, prokuroria e Tiranës vendosi të pezullojë hetimet për këtë çështje, duke dërguar dosjen në polici për zbulimin e autorëve të ngjarjes që u klasifikua si vrasje e mbetur në tentativë. L.Bakillari