“Shenjtorja” Eleonorë vret veten, ja fjalët e letrës së lamtumirës
E vetëshpallura shenjtore, protagoniste e disa incidenteve, është gjetur e vdekur nga një plumb në kokë, në krevatin e saj. Letra e fundit: Më mirë vras veten, se të më marrin tokën e shenjtë. Historia e Eleonorës, mes ithtarëve të shumtë, denoncimeve për mashtrim dhe gjyqeve për pronën te “Kodra e Diellit”
Tiranë Eleonora Bregu gjendet e vdekur në vilën e saj me një pistoletë TT pranë trupit, e një letër lamtumire mbi komonë pranë shtratit. Shenjtorja e vetëshpallur, një personazh i njohur për shkak të ithtarëve që kishte mbledhur në vite rreth vetes apo incidenteve të shkaktuara me “spiritualizmin” e saj, i ka dhënë fund jetës në krevatin e vet, në katin e dytë të vilës, ndërsa në anën e djathtë të kokës, pas veshit i është konstatuar plaga e shkaktuar nga plumbi i vetëm i pistoletës. “O Dear God! Më mirë të marr jetën time, se të marrin tokën e shenjtë!” ishin rreshtat e fundit të shkruar prej saj, e që kanë shuar dilemat për mënyrën e vdekjes së 58-vjeçares. Policia e Tiranës e cila hetoi ngjarjen, tha se Eleonora kishte vdekur prej dorës së saj, fakt ky i konfirmuar prej këqyrjes së trupit por edhe prej letrës, ku lehtësisht është verifikuar kaligrafia e saj. Ajo është gjetur rreth orës 18:20 nga njëri prej fëmijëve të saj dhe nga ekspertimi i skenës së ngjarjes, burime policore thanë dje se duket se e vetëshpallura “Shenjte” ka kryer vetëvrasje. Megjithatë, një konkluzion përfundimtar do të dalë pasi të jenë ezauruar të gjitha ekspertimet balistike dhe mjeko-ligjore. Letra e fundit e gjetur pranë trupit të 58-vjeçares është administruar si provë nga ana e hetuesve, të cilët u shprehën se kaligrafia e shkrimit të gjetur në letër do të krahasohet me të tjera shkrime të realizuara nga viktima më parë. Ndonëse është gjendur në dhomën e saj e vdekur, duket se askush nuk ka dëgjuar krismën e armës që në momentet e para. Eleonora Bregu është gjendur disa minuta më vonë nga njëra prej vajzave të saj, e cila më pas ka njoftuar dhe të afërmit së bashku me policinë. Vila ku jetonte Eleonora Bregu, e kthyer për vite me radhë në një qendër pelegrinazhi, ndodhet në zonën e “Kodrës së Diellit”, oborri i së cilës është i gjithi i rrethuar me kangjella të larta. Madje në portën kryesore ka edhe një vendroje, ku gjatë gjithë kohës punonin me turne rojet e pronës të pajtuar nga viktima. Pikërisht për konfliktet mbi këtë tokë, Eleonora Bregu për vite me radhë është bërë dhe objekt i vëmendjes së mediave, pasi shpeshherë ka denoncuar faktin se kanë dashur që t’ia merrnin tokën, që sipas saj ishte “e shenjtë”. Nga ana tjetër, një familje pretendonte pronësinë e hershme të kësaj sipërfaqeje toke, e cila kishte kaluar prej vitesh në betejë gjyqësore. Nga hetimet e para, policia thotë se problemet me pronën ku kishte ndërtuar fondacionin e saj duket se ishte motivi i vetëvrasjes së Eleonora Bregut. E megjithatë, e kaluara e saj që u përshfaq publikisht me vetëshpalljen ‘shenjtore’ e mbledhjen rreth vetes të dhjetëra ithtarëve, të sëmurëve, hallexhinjve apo besëtytëve, ngre dyshime për probleme më të thella se ai i pronës, për të cilin mendohet se i ka dhënë fund jetës. Ajo është nëna e tre fëmijëve, një djali dhe dy vajzave, të cilët i ka nga dy martesa të ndryshme, ndërsa kohët e fundit jetonte vetëm me fëmijët dhe gjithnjë e më shumë e harruar nga ithtarët e dikurshëm. Publikisht, Eleonora Bregu është shprehur se aktiviteti i saj ishte bamirësia dhe ndihma ndaj njerëzve, por ndaj saj u ngritën shumë denoncime publike dhe zyrtare, të cilat e akuzonin për mashtruese.
Letra e fundit
“O Dear God! Më mirë të marr jetën time,
se sa të më marrin tokën e shenjtë”
I afërmi: Nuk ka pasur shenja depresioni
Shumica e të afërmve të Eleonora Bregut janë njoftuar për vdekjen e saj nga televizionet, ndërsa u është dashur të presin mbrëmjen e djeshme gjatë përpara kangjellave të shtëpisë së Eleonorës, pasi hetuesit ishin duke mbledhur provat dhe duke inspektuar skenën e ngjarjes. Një prej të afërmve të viktimës i tha dje MAPO-s se ishin të shokuar për ngjarjen dhe se Eleonora Bregu nuk kishte shfaqur asnjë shenjë të shqetësimit psikologjik kohët e fundit. “Jam i habitur, nuk ka pasur asnjë shenjë të pesimizmit apo depresionit. Edhe në lidhje me problemin e tokave dhe pronës nuk ka pasur ndonjë konflikt apo agravim muajt e fundit. Nuk di pse e bëri. Jam shumë në merak për vajzat që janë aty brenda dhe tashmë kemi merakun e tyre dhe duhet t’u qëndrojmë pranë”, - u shpreh dje një i afërm i viktimës. Nga ana tjetër, hetuesit kanë marrë dje në pyetje një pjesë të të afërmve si dhe vajzat e viktimës, ndërsa është pyetur edhe roja i pronës.