Ndryshojnë procedurat për pasaportat biometrike, rifutet në “lojë” policia
Ministria e Brendshme ndryshon procedurat, pas rasteve të identifikuara të pasaportave biometrike me të dhëna të falsifikuara. Qytetarët duhet të paraqiten në komisariat për të marrë formularin e identifikimit e më pas të aplikojnë
Policia rikthehet në ‘lojë’, në procesin e prodhimit të pasaportave biometrike. Pas identifikimit të rasteve të falsifikimit të të dhënave, por edhe për të garantuar siguri maksimale, Ministria e Brendshme ka ndryshuar dje procedurat për pajisjen me pasaporta, duke ndarë përgjegjësitë mes policisë dhe pushtetit lokal. Me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme ka nxjerrë më 11 nëntor një udhëzim të ri mbi “Mbi procedurat e pajisjes me pasaportë biometrike të shtetasve shqiptarë”. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, çdokush që aplikon për pasaportë biometrike duhet të paraqitet fillimisht në komisariatin e policisë ku ka vendbanimin, e më pas në pikat e aplikimit për pasaporta. “Udhëzimi me Nr. 394/4 për një ndryshim në udhëzimin Nr:308, datë 08.05.2009, për pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasve të ndryshuar, parashikon një procedurë të re të pajisjes me pasaportë biometrike”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Procedura e re
Procedura e re parashikon që shtetasit shqiptarë, sa herë që aplikojnë për pasaporta biometrike duhet të paraqiten në komisariatin ku kanë vendbanimin, për t’u pajisur me një formular identifikimi me fotografi. “Ky formular plotësohet në dy kopje”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme, ku shtohet më pas se ky formular miratohet me urdhër të
Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Më tej, qytetarëve u sqarohet se kopja e tyre e formularit të plotësuar dhe të verifikuar nga policia i paraqitet punonjësit të Gjendjes Civile, pranë zyrës së aplikimit. Sipas udhëzimit të miratuar pak ditë më parë, zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike janë porositur të mos kryejnë asnjë procedurë pa formularin e identifikimit të lëshuar nga policia.
Siguria e pasaportave
Të reklamuara si dokumente me siguri maksimale, pasaportat biometrike e kaluan testin e falsifikimit në rrugë prej elementëve kriminalë, por jo atë të falsifikimit brenda zyrave të shtetit. Gjatë periudhës së verës, policia e Tiranës realizoi disa aksione të suksesshme pas ankesave të dhjetëra qytetarëve, të cilët shkonin për të aplikuar për pasaportë e konstatonin se të dhënat e tyre ishin përvetësuar nga të tjerë persona. Në këtë kuadër, në Tiranë u arrestuan edhe disa kosovarë, të cilët kishin pasaporta shqiptare me të dhëna të vjedhura, si dhe u godit një grup që vepronte në njësinë bashkiake nr.2. Pas këtyre rasteve të konstatuara, Ministria e Brendshme del me këtë udhëzim të ri për pasaportat biometrike, duke rikthyer në procesin e prodhimit Policinë e Shtetit.
Udhëzimi
1-Procedura e re parashikon që shtetasit që aplikojnë për pasaporta biometrike duhet të paraqiten në komisariat, për t’u pajisur me një formular identifikimi me fotografi
2- Kopja e tyre e formularit të plotësuar dhe të verifikuar nga policia i paraqitet punonjësit të Gjendjes Civile, pranë zyrës së aplikimit për pasaportë biometrike