E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik; MSH nis inspektimet higjeno-sanitare



Në prag të sezonit të ri turistik, Ministria e Shëndetësisë ka organizuar një takim ku ka prezantuar masat parandaluese që do të merren në këtë sezon veror për të shmangur sëmundjet infektive në popullatë. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, tha: “Jemi në prag të sezonit turistik, kur dhe duhet të rritet angazhimi i strukturave të Inspektoratit Sanitar Shtetëror në monitorimin e mjedisit, të efekteve të mjedisit në shëndet, monitorimin e plazheve të vijës bregdetare, i ajrit, ujit të pijshëm, veçanërisht në zonat turistike, si dhe monitorimi i ushqimit”.

Vitin e kaluar nuk ka pasur probleme apo shpërthime të epidemive, intoksikacione, ndërkohë MSH-ja po përgatit urdhrin përkatës për të gjitha strukturat shëndetësore për marrjen e masave të duhura, për të pasur një sezon të qetë turistik.

Në takim u prezantua gjithashtu Manuali për Inspektoratin Sanitar Shtetëror, Rekomandimet për Ushqyerjen e Shëndetshme në Shqipëri, si dhe Udhëzuesit e Promocionit të Shëndetit.

Hapet "Panairi i punës"

Për të dytin vit me radhë është zhvilluar në Tiranë, "Panairi i punës", panair ky që u jep mundësinë të rinjve që pas diplomimit, të integrohen menjëherë në tregun privat të punës dhe pranë kompanive të ndryshme.

Panairi është organizuar nga Zyra e Karrierës në Universitetin e New York-ut në Tiranë. Qëllimi i këtij panairi, sipas organizatorëve, është krijimi i mundësive për punësim për studentët që diplomohen këtë vit akademik.

Në këtë panair ishin disa dhjetëra kompani të rëndësishme që veprojnë në tregun shqiptar deri tek institucione shtetërore si Ministria e Ekonomisë dhe Bashkia e Tiranës. Të rinjtë, në pritje të diplomimit, kanë parë nga afër vendet e punës dhe mundësitë që ofrojnë ndërmarrjet private.

Ata kanë plotësuar aplikimet për t’u bërë pjesë e tyre pas diplomimit. Fushat, në të cilat ata kanë aplikuar, janë bankat, siguracionet, telefonia celulare, distribucioni, komunikimi, marketingu, konsulenca financiare deri tek pushteti qendror dhe ai vendor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›