E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursi, dy blerjet që tronditën tregun

Leku shqiptar fitoi 1.41 për qind dje kundrejt euros, duke u këmbyer me 134.81 lekë për euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Në tregun ndërbankar, euro vijoi të shitej rreth kuotave 135-136 lekë, sipas të dhënave të raportuara në agjencitë ndërkombëtare të fushës, ndërsa tendenca e përgjithshme pasdreken e djeshme ishte rreth kuotë 135 lekë. Megjithatë, tregu valutor i vendit mbeti larg të qenit normal. Diferenca mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes për euron u ruajt deri në 8 lekë sipas kursit të disa bankave dhe deri në 3.5 lekë nëpër agjencitë e këmbimit valutor. Diferenca e lartë tregon pasigurinë e operatorëve për ecurinë e kursit. Zakonisht bankat ruajnë një diferencë prej 5 lekësh mes shitjes dhe blerjes për klientët me pakicë, ndërsa agjencitë e këmbimit valutor mbajnë diferenca 0.5 deri në 1.5 lekë.

Dje, agjencitë e këmbimit valutor ofruan për lekun një vlerë dukshëm më të lartë se sa bankat. Në disa raste, diferenca e çmimeve mesatare nga agjencitë te bankat, qe deri në 2 lekë, gjë që ndodh për herë të parë. Leku u forcua të premten pa ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të agjencisë "Reuters", BSH qëndroi neutrale, megjithëse si rregull, BSH ndërhyn në treg kur vëren lëvizje spekulative.

Në total, leku vlen sot 9.94 për qind më pak se sa mesatarja e vitit 2008.

Deklarata e Berishës, pa efekt

Disa bankierë mendojnë se deklarata e Kryeministrit, e cila u cilësua fillimisht si shkaktare e panikut, ka pasur pak ose aspak ndikim real në ngjarjet e javës së kaluar. Kryeministri tha më 17 shtator se euro na bën presion dhe se ne duhet të dorëzohemi përballë euros. Në kulmin e panikut, më 24 shtator, ose një javë pas deklaratës së Kryeministrit, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi në Parlament se "segmente të opozitës abuzuan me një deklaratë të Kryeministrit". Vetë Berisha deklaroi të dielën për Zërin e Amerikës se deklarata e tij mund të ketë pasur efekt të vogël, ndërsa shtoi se "qe ekoja që media i bëri fjalëve të mia".

Në fakt, sipas ekspertëve, një deklaratë e tillë mund të vërë në dilema qytetarët e zakonshëm, por nuk mund të ndryshojë politikën tregtare të bankave të mëdha, të cilat janë edhe lojtarët më të mëdhenj në tregun e këmbimit valutor.

Duke përgjuar veprimet e korporatave

Sipas disave prej tyre, të mërkurën në mëngjes pati dy blerje në përmasa të konsiderueshme të euros, gjë që shkaktoi një reaksion zinxhir nëpër agjencitë e këmbimit valutor, të cilat punojnë shpesh edhe si zyra të grumbullimit/shpërndarjes së valutës për llogari të bankave. Në Shqipëri qarkullojnë mesatarisht 20 milionë euro çdo ditë në tregun e këmbimit valutor. Por këto kohë, të gjithë operatorët e tregut janë duke përgjuar njëri-tjetrin në pritje të ditës kur disa multinacionale të rëndësishme, të cilat realizojnë rreth 200 milionë euro fitime në vit në tregun shqiptar, do të konvertojnë fitimet e tyre për t‘i transferuar në formë dividenti në vendet e origjinës së investimeve. Blerjet e valutës nga korporatat shkaktuan goditjen e parë mbi lekun në mars të këtij viti. Në atë kohë, Banka e Shqipërisë sugjeroi që këto biznese ta shtrinin në kohë aktivitetin e blerjes së valutës, diçka që i leverdiste edhe vetë korporatave, të cilat fitojnë më pak në rast se leku dobësohet. Me nivele të tilla fitimesh, edhe blerja e valutës nga një korporatë e vetme mund të shkaktojë shumëfishim të kërkesës për valutë në treg.

Në tregun valutor në Shqipëri janë pak institucione financiare që kanë fuqi të ndjeshme në treg. Sipas drejtorit të Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë, Marjan Gjermeni, çdo ditë në tregun valutor, qarkullojnë 20 milionë euro në ditë.

"Transaksione me vlerë prej rreth 10 milionë eurosh ndodhën secilën prej ditëve (të mërkurën dhe të enjten), deklaroi Gjermeni për agjencinë e lajmeve "Reuters".

"Një transaksion me vlerë të vogël ndodhi në kuotën 138.4 lekë të enjten. Kjo lëvizje prej pesë lekësh në dy ditë nuk ka bazë reale", shtoi ai.

Konfirmim tendence, apo fundi i rritjes

Sipas Bankës së Shqipërisë, pritet që leku të stabilizohet në kuotën para fillimit të panikut. Euro kuotohej rreth kuotës 133-134 lekë në javën e dytë të shtatorit. Por sipas disa bankierëve, fakti që euro kërceu deri në 138 lekë, konfirmoi tendencën negative afatgjatë. Për shkak të rritjes së madhe të marzhit mes shitjes dhe blerjes, disa prej bankave nuk iu referuan më kuotave fikse të valutës që raportohen nga BSH dhe që përfaqësojnë mesataren e kursit të mesditës në bankat dhe agjencitë valutore kryesore.

Nga ana tjetër, asnjë nga krerët e shtetit shqiptar, nuk ka folur deri tani për qëndrueshmëri apo për forcim të lekut. Të gjithë kanë folur për kursin e lirë luhatës dhe kanë dhënë sinjale të qarta se nuk shqetësohen nga kuotat aktuale. Kryeministri Berisha foli mes të tjerash edhe për "përfitimet që sjell leku i dobët", dhe përsëriti për herë të dytë se një luhatshmëri e tillë është tërësisht e pranueshme. Këto deklarata japin përshtypjen se qeveria nuk është e shqetësuar për zhvlerësimin e lekut dhe as nuk ka në plan të veprojë për të mbrojtur vlerën e monedhës kombëtare. Nga ana tjetër, qëndrimi zyrtar i Bankës së Shqipërisë është se vlerën e lekut duhet ta përcaktojë kërkesë-oferta në treg dhe se roli i saj është që të shmangë ulje-ngritjet e forta dhe afatshkurtra.

Si qeveria, ashtu edhe BSH nuk kanë komentuar mbi efektet që ka pasur veprimtaria e tyre e muajve apo viteve të fundit, në vlerën e lekut. Qeveria nuk pranoi se vendi është prekur nga kriza botërore dhe vijoi të ruante një nivel të lartë shpenzimesh publike, duke u fshehur pas argumentit se një politikë e tillë nxit konsumin e brendshëm dhe rritjen ekonomike, pa e shtruar pyetjen nëse qeveria i kishte rezervat e mjaftueshme ekonomike për të hedhur një stimul fiskal në kohë krize.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›