Rama: “Zbulimi, ridimensionim i historisë së kryeqytetit”
Gjatë gërmimeve për rikonstruksionin e rrugëve kryesore në kryeqytet u zbuluan themelet e Kalasë së Tiranës. Bashkia e Tiranës e ka konsideruar gjetje që ridimensionon historinë e kryeqytetit. Në zbulimin e rastësishëm të themeleve të Kalasë së Tiranës është vënë re ekzistenca e tri kullave përbërëse të kalasë, të cilat kanë dalë në pah gjatë punimeve që Bashkia po kryen për rikonstruksionin e Unazës së Vogël, që përfshin segmentin nga Rruga e Kavajës deri në rrugën “Luigj Gurakuqi”.
Zbulimi do t’i shtohet hartës së zbulimeve dhe kulturës së hershme të kryeqytetit. Kryebashkiaku Edi Rama ka marrë pjesë në inspektimin pjesëve të gjetura, ku ishin të pranishëm edhe specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por kjo pjesë gjendet në zonën më me trafik të qytetit dhe për këtë bashkia ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje nga specialistët për të bërë të kalueshme rrugën, si dhe për të ruajtur vlerat e vjetra historike të qytetit. “Sot na duhet të koordinojmë të gjithë ekspertët, jo vetëm të monumenteve të kulturës, por edhe të trafikut, për të kuptuar se cila mund të jetë zgjidhja optimale, në mënyrë që kjo vlerë të jetë në sytë e të gjithëve dhe që nga ana tjetër, Tirana të jetë një qytet i qarkullueshëm në zemër të saj, ku ju e dini, është pozicioni më i madh i trafikut”, - theksoi Rama.
21 Shkurt 2008