E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, dy lista për barnat me rimbursim

Emanuela Sako

Si zgjidhje të “ngërçit“ që është krijuar për futjen e barnave të reja me rimbursim për 2008-n, ISKSH-ja ka menduar përfshirjen e dy listave të reja. Kështu, këtë vit pritet të ketë një listë barnash bazë, e cila do të mbulohet 100% nga ISKSH-ja, që do të shërbejë për shtresat në nevojë. Ndërsa do të ketë dhe një listë të dytë alternative, e cila të jetë me bashkëpagesë mes ISKSH-së dhe pacientit. Ky është propozimi i ISKSH-së, që e prezantoi drejtoresha Elvana Hana gjatë ditës së djeshme, në analizën vjetore të ISKSH-së. Sipas saj, në këtë mënyrë do të mundësohet një kontroll më i mirë i skemës, pasi supozohet të ulen abuzimet. Në sajë të bashkëpagesës do të krijohet mundësia për futjen e më shumë barnave të reja dhe cilësore në listë. Drejtoresha e ISKSH-së deklaroi se drafti ka përfunduar dhe pritet që të diskutohet në mbledhjen e radhës së Komisionit të Listës së barnave të rimbursueshme, ku ISKSH-ja do të propozojë projektin për të pasur më shumë se një listë barnash të riumbursuara.
Lista aktuale
Aktualisht lista e barnave me rimbursim mbulon 94 për qind të sëmundshmërisë kronike. Vitin e kaluar në listën e barnave të rimbursueshme u futën 14 barna dhe fondet që janë në dispozicion e mbulojmë këtë listë. Hana theksoi se e sheh të vështirë mbulimin e barnave të reja me fondet që janë përcaktuar për 2008-n. E ndërkohë që lista pritet të shtohet ende, kanë kaluar dy muaj dhe ende nuk është marrë asnjë vendim. Duke pasur parasysh buxhetin e përcaktuar për këtë vit, shpeshherë është folur për barna të kushtueshme, që do të dalin nga rimbursimi. Tashmë pritet vendimi i Komisionit për rimbursimin e barnave të vendosë përfundimisht lidhur me këtë çështje.
Kontributet shëndetësore
Lidhur me kontributet shëndetësore të parashikuara në ligjin e ri të ISKSH-së, që pritet të shkojë së shpejti në qeveri e më pas në Kuvend, Hana u shpreh se propozimi është që ato të rriten nga 3.4% e pagës që janë aktualisht, në 7.5%. Sipas saj, duhet të bëhet një rregullim brenda taksimit që mbledh shteti në tërësi, nga të cilat një pjesë e madhe të shkojë për sigurime shëndetësore. Kontributet shëndetësore në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon. Kështu, rritja e kontributeve shëndetësore do të krijojë një mbulim më i mirë të skemës dhe kjo të shtrihet edhe në sektorin spitalor. Shtrirja e kontributeve shëndetësore në sistemin spitalor është parashikuar në projektligjin e ri. Një menaxhim i tillë do të sjellë ulje të abuzimeve me skemën.
“Tani jemi në fazën përfundimtare të diskutimeve për ligjin dhe besojmë se brenda muajit prill duhet të shkojë në qeveri”, - theksoi Hana.

Spital i ri në QSUT, brenda Qendra e Traumatologjisë

QSUT-ja do të pasurohet duke ngritur një spital të ri, ku do të përfshihet edhe Qendra e Traumatologjisë, e cila do të jetë më e specializuar. Qendra e Traumatologjisë do të funksionojë paralel me Qendrën e Traumatologjisë në Spitalin Ushtarak. Spitali i ri ndodhet pranë gjashtëkatëshit, ku janë dhe sëmundjet e brendshme dhe është menduar që ndërtesa të jetë me 5 kate. Në këtë ndërtesë do të ketë shtatë salla operacioni dhe disa shërbime të sëmundjeve të brendshme do të zhvendosen në ambientet e saj. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, inspektoi punimet e fazës së parë për ndërtimin e spitalit të ri, i cili është financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, në vlerën 14 milionë USD dhe nga qeveria shqiptare me 7,4 milionë USD. Ndërsa komponenti i pajisjeve mjekësore do të financohet nga qeveria shqiptare me rreth 8 milionë euro. “Në këtë spital të ri me pesë kate, i cili pritet të përfundojë brenda viti 2009, Shërbimi i Traumatologjisë në QSUT do të jetë më i specializuar. Kjo do të thotë që edhe QSUT, ashtu sikurse Spitali Ushtarak, do të ketë shërbimin e saj”,- deklaroi Ndoka. Në katin e nëndheshëm do të funksionojë Departamenti i Imazherisë, Diagnostika funksionale dhe Sterilizimi Qendror (fillimisht të paparashikuar). Në katin e parë të spitalit do të vendoset Departamenti i Urgjencës Mjekësore Nr. 1 dhe Departamenti i Urgjencës Mjekësore Nr. 2, përfshirë 18 shtretër me qëndrim observimi afatshkurtër. Në katin e dytë do të ketë pavijone të Mjekësisë së Përgjithshme, ndërsa kati i tretë do të jetë Reanimacioni me 15 shtretër dhe laboratori kimik. Kati i katërt do të përmbajë Departamentin e Hematologjisë me 16 shtretër standard, 6 shtretër të specializuar dhe 14 vende për kujdes ambulator. Kati i fundit i spitalit të ri do të ketë shtatë salla operacioni, dhoma e zgjimit pas operacionit me 8 shtretër dhe Laboratori Histologjik. Ndërsa numri i përgjithshëm i shtretërve do të jetë 115.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›