Matura Shtetërore, koeficientet për lëndët me zgjedhje dhe ndryshimet për këtë vit
Fakultetet duhet të dorëzojnë koeficientet brenda datës 10 mars. Koeficientet sipas llojit të shkollës së mesme dhe lëndëve me zgjedhje
Jonida Tashi
Ministria e Arsimit, pas marrjes së propozimeve nga universitetet publike të vendit për koeficientet për pranimet në shkollat e larta, do të publikojë se sa do të jenë ato për këtë vit. Burime zyrtare nga zyra e shtypit pranë MASH-it bënë të ditur për gazetën “Albania” se koeficientet duhet të dorëzohen në këtë ministri brenda datës 10 mars. Ndërkohë, po brenda këtij afati duhet të dorëzohet edhe formulari A1 nga të gjithë maturantët. Shefja e zyrës së shtypit në MASH, Ermelinda Muho, ka pohuar se pritet që këtë vit të ndryshojnë koeficientet vetëm për disa lëndë me zgjedhje siç janë lëndët Histori dhe Gjeografi, të cilat do të jepen si dy lëndë me zgjedhje të veçanta dhe do të kenë koeficientet përkatëse. Këtë vit, në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, për herë të parë do të jepet edhe lënda e Gjuhës frënge. Gjithashtu, këtë vit, lënda Njohuri për shoqërinë është ndarë nga blloku i lëndëve Njohuri për ekonominë dhe Filozofi, të cilat do të jepen bashkë dhe do të ketë koeficiente të reja. Aktualisht, të gjitha fakultetet në vend janë duke punuar me koeficientet dhe duke bërë përcaktimin e tyre sipas degëve përkatëse. Pritet që së shpejti koeficientet të dorëzohen në MASH për t’u riparë nga specialistët e Arsimit të Lartë dhe më pas të miratohen nga Ministria e Arsimit.
Koeficientet
Janë dy lloje koeficientesh për pranimet në shkollat e larta: pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës(ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Skema e pranimit në shkollën e lartë, pra Matura Shtetërore, ka parasysh edhe larminë e shkollave të mesme dhe programit mësimor të tyre. Zbatimi i këtij sistemi koeficientesh reflekton pikërisht këtë larmi, për të zbatuar gjithmonë e më mirë parimin e meritës për të shkuar në shkollën e lartë.
5 koeficientet e llojit të shkollës së mesme:
Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente nga 1.0 deri në 1.4 (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga 3 notat e para (nota mesatare dhe 2 notat për provimet e lëndëve të detyruara) shumëzohen me koeficientet e vendosur nga dega e fakultetit respektivisht llojit të shkollës së mesme që ka kryer kandidati.
2 koeficientet e lëndës(ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë:
Çdo degë e shkollës së lartë shpall gjithashtu parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj. Parapëlqimi shprehet me anë të 2 koeficienteve të tjerë me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këta koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student.
10 llojet e shkollave të mesme:
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili i Përgjithshëm
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili natyror. (Në këtë grup të përfshihet edhe seksioni dygjuhësh francez në Korçë)
Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Profili Shoqëror (në këtë grup të përfshihen edhe seksionet dygjuhëshe italian dhe francez në Tiranë, Shkodër dhe Korçë)
Shkolla teknike ekonomike 5-vjeçare
Shkolla Teknike Profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare
Shkolla Social Kulturore e Gjuhëve të Huaja
Shkolla Social Kulturore Artistike dhe Sportive
Shkolla Social Kulturore Pedagogjike (4-vjeçare)
Shkolla e mesme e Përgjithshme me Kohë të Shkurtuar
Shkolla Teknike-Profesionale me kohë të shkurtuar që kanë dhënë provimet e Maturës Shtetërore
Datat e provimeve për të gjitha shkollat e mesme
Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore për sesionin e parë janë si më poshtë:
Në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme pedagogjike:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:
Gjuha dhe letërsia greke 02 qershor 2008
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në seksionet dygjuhëshe (Profili shoqëror dhe natyror):
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme social-kulturore artistike dhe sportive:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare:
Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
21 Shkurt 2008