Denoncimi, zhduket gruaja me dy fëmijët
Një grua, bashkë me dy fëmijët është larguar nga shtëpia që ka në Kavajë, ndërkohë që i shoqi ka alarmuar policinë për gjetjen e saj. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë, por deri në orët e vona të mbrëmjes, policia nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar, nëse ajo është kthyer në banesë. Sipas të dhënave policore, Resmi Muça, quhet personi, i cili është paraqitur në Komisariatin e Kavajës dhe ka denoncuar zhdukjen e bashkëshortes, bashkë me dy fëmijët. Sipas të dhënave policore, pikërisht mëngjesin e së mërkurës, 33-vjeçari me banim në fshatin Vorrozen, ka kallëzuar se më datë 22 të këtij muaji, që në orën 05:30 të mëngjesit, i është larguar nga banesa bashkëshortja Mimoza Muça. Sipas tij, 33-vjeçarja ka marrë me vete edhe dy fëmijët, Altinin dhe Brikenën. Policia tha se menjëherë ka nisur punën për gjetjen e tyre, që mendohet se kanë shkuar pranë të afërmve. Materialet për këtë çështje i kaluan prokurorisë.