Vjen i lidhur nga Spanja Kastriot Jaupi, organizatori i vrasjes së Ilir Ngresit
Luan Kondi
TIRANË – Kastriot Jaupi, 33 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e majorit të policisë, Ilir Ngresi, erdhi dje në Shqipëri ku do të vuajë dënimin. U deshën plot 7 vite që Spanja të jepte miratimin për ekstradimin në vendlindje të Kastriot Jaupit, i dënuar përjetë për vrasjen e Ngresit dhe për një mori akuzash të tjera që rëndojnë mbi të si pjesëtar i bandës kriminale të Beratit. Interpol Tirana duket se ia ka marrë në kthesë kolegëve të tyre italianë, pasi edhe ata kishin kërkuar ekstradimin e Jaupit për shkak të një dënimi me 9 vjet burg për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.
Ekstradimi
Lajmi i ekstradimit të kapobandës së Beratit, Jaupi, jepet në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit mediat ftohen ta përcjellin si lajm në datën 20 tetor, konfirmohet nga burime të sigurta në Ministrinë e Brendshme dhe të Policinë e Shtetit. Kastriot Jaupi u arrestua tetorin e vitit 2001 nga Policia spanjolle, në afërsi të Madridit. Ndalimi u bë pasi dyshohej se u kishte vënë gjobë dy vëllezërve nga Skrapari. Në këtë kohë Drejtësia shqiptare u dërgon autoriteteve spanjolle kërkesën për ekstradimin dhe vendimin për masën e sigurisë burg pa afat për Jaupin, me akuzën e vrasjes së oficerit të Policisë, Ilir Ngresi. Paralelisht Jaupi kërkohet për ekstradim edhe nga autoritetet e Drejtësisë italiane. U mendua se Jaupi mund të ekstradohej drejt Italisë, por vetëm disa ditë më parë autoritetet spanjolle njoftuan Interpol Tiranën se ishte miratuar kërkesa për ta sjellë në Shqipëri.
Akuzat
Jaupi ka disa akuza për vrasje e plagosje, por më e rënda është ajo e ekzekutimit në Vlorë të ish-shefit të Krimeve të Beratit, Ilir Ngresi, në dhjetor të vitit 2000. Shkaku ishte rihapja e hetimeve për ngjarjet e vitit 1997 nga Ngresi, por mbartte edhe motive hakmarrjeje. Ngresi kishte marrë pjesë në një operacion pranë Urës Vajgurore në vitin ’97 kur u vra Ilir Jaupi, vëllai i Kastriotit. Ngresi ishte personi i drejtpërdrejtë që u akuzua nga Jaupajt për vrasjen e Ilirit. Në fakt, përfshirja e Kastriot Jaupit në botën e krimet është më e hershme, kur së bashku me të vëllanë bënte pjesë në bandën e vrasësit beratas, Altin Dardha. Pazaret sollën hasmëri edhe brenda vetë bandës dhe Kastrioti me të vëllanë u përfshinë në fraksionin kundërshtar të Altin Dardhës. Kastriot Jaupi rezulton i tërhequr nga banda pas vitit ’97, por rihapja e një dosjeje ku ai akuzohej për vrasje e riaktivizoi. Dosja ishte mbyllur në vitet 1998-1999 dhe u rihap në vitin 2000, pas ardhjes së Ngresit si shef Krimesh në Berat.
Rreth tre muaj para vrasjes Kastriot Jaupi me persona të tjerë kishte organizuar pritën ndaj Ngresit dhe shoferit të tij Artimond Jaupi, por edhe pse qëlluan me breshëri vetëm një nga plumbat mundën ta kapnin oficerin Ilir Ngresi, por pa rrezik për jetën e tij. Pas kësaj ngjarjeje Artimond Jaupi u largu nga Shqipëria, pasi rrezikohej seriozisht jeta e tij nga hakmarrja e Kastriot Jaupit. Ky i fundit nuk është ndalur këtu. Ai, pas më shumë se tre muajsh ka shkuar në Vlorë së bashku me Dritan Zhukën, i njohur ndryshe si “Shuaipi” dhe pasi kishin siguruar makinën me traga të Vlorës, e cila ishte në pronësi të Renato Beqirajt, ata gjetën vendndodhjen e Ngresit te bar “Shelgu”, i cili kishte ardhur pranë familjes ndërsa kryente detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë së Delvinës. Për realizimin e krimit të dy autorët largohen nga rruga kryesore dhe futen në rrugën para shkollës “Ismail Qemali” dhe në afërsi të kryqëzimit parkojnë veturën. Të dy, më këmbë, pasi përshkojnë rrugën që të çon direkt te vendi i ngjarjes, i afrohen viktimës pas shpine.
Ndërkohë, viktima qëndronte i ulur në tavolinën e cepit të verandës së lokalit, së bashku me shokun e tij, Besnik Tare, duke pirë kafe. Si ekzekutor i drejtpërdrejtë është akuzuar edhe Dritan Zhuka, i thirrur me nofkën “Shuaipi”, i cili u vra gjatë një rrethimi të forcave speciale në shtator të vitit 2001. Jaupi, me dokumente false, largohet në Maqedoni dhe prej këndej në Itali dhe Spanjë.
24.07.1997
Ilir dhe Kastriot Jaupi ishin pjesëtarë të plagosjes në një atentat të ish-mikut të tyre, Altin Dardha
07.09.2000
Kastriot Jaupi i zë prite Ilir Ngresit dhe shoferit të tij, policit Artimond Jaupi. Nga ky atentat plagoset Ngresi
30.12.2000
Dritan Zhuka ishte i autorizuar nga Kastriot Jaupi për ekzekutimin e Ilir Ngresit në qytetin e Vlorës
Atentati ndaj Altin Dardhës
Kastriot Jaupi, me të vëllanë, Ilirin, më 24 korrik të vitit 1997 plagosën në një atentat ish-mikun e tyre, Altin Dardha. Ishte koha kur ndarja e zonave të influencës si dhe përfitimet nga gjobat dhe vjedhjet futën në luftë pjesëtarët e bandës së Altin Dardhës me njëri-tjetrin. Breshëritë e plumbave të lëshuara nga një mitraloz i lehtë dhe kallashnikov në Kadillakun ngjyrë vishnje, “sharruan” mikun e ngushtë të Dardhës, Gazmend Cufe, si dhe katër pjesëtarë të bandës së tij. Altin Dardha plagoset me një plumb në qafë. Ndonëse në media u botua se mes të vrarëve ishte edhe vetë supevrasësi Altin Dardha, ky i fundit, i ndihmuar nga një mik i tij, mbërrin në Spitalin e Fierit, ku shpëton falë ndërhyrjes së saktë të kirurgëve. Pas tetë muajsh Dardha, mbi të cilin rëndonin rreth 60 vrasje, do të eliminonte kapon e bandës rivale të Vakëfit, Burhan Tomorrin, i njohur me nofkën “Bujo”, vëllanë e këtij, Abdurrahim Tomorri, Behar Eskiu e Kastriot Bejko, ndërsa mbetën të plagosur Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti. Dhe Altin Dardha do ta çonte në 100 numrin e të vrarëve nga dora e tij, siç kishte premtuar, nëse vrasës me pagesë nuk do ta eliminonin dhe digjnin në Greqi, më 28 shkurt 1998.
Si u kap në Spanjë, pas gjobës, Kastriot Jaupi
Kastriot Jaupi, i dënuari me burg përjetë për vrasjen e majorit të policisë, Ilir Ngresi, ishte arrestuar nga Policia spanjolle pikërisht në rrethinat e Madridit shtatë vjet më parë. Ai ishte shndërruar në gjahun numër një të Policisë shqiptare në zonën e Beratit, ndaj dhe kishte zgjedhur si vend të përshtatshëm për t’u strehuar Spanjën. Me anë të një pasaporte false ai kishte arritur të kapërcente kufijtë e Shqipërisë dhe nga Bullgaria të nisej në Spanjë. Por këtu ai do të arrestohej nga policia i akuzuar për gjobëvënie ndaj dy vëllezërve nga Skrapari. Menjëherë pas arrestimit të tij nga Shqipëria u nisën me urgjencë dokumentet për ekstradim. Porse pritej që fillimisht Jaupi të vuante dënimin e dhënë nga Drejtësia spanjolle.
Kastriot Jupi, lindur më 01.06.1975 në Berat, dënuar me burgim të përjetshëm
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin numër 143, datë 04.07.2003, e ka dënuar Kastriot Jaupin me burgim të përjetshëm për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, “të vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, të mbetur në tentativë“ dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
21 Tetor 2008