E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani kërkon t’i njihet e drejta e apelimit të vendimeve të formës së prerë



Laureta Rryçi

Tiranë - Avokati i Popullit i kërkon i ministrit të Drejtësisë t’i krijojë hapësira ligjore për një kompetencë të re. Më konkretisht, mësohet se Ermir Dobjani ka kërkuar realizimin e detyrës së Avokatit të Popullit për ankesat kundër vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke bërë plotësimet e duhura në Kodin e Procedurës Penale dhe Civile, bazuar edhe në Rekomandimet e Këshillit të Europës. Sipas Dobjanit, zyra e Avokatit të Popullit ka pasur në vazhdimësi qysh nga fillimi i saj në vitin 2000, dhe ka mjaft ankesa për vendimet gjyqësore të formës së prerë. Por deri tani nuk mund të veprojë për këto ankesa. Ndryshimet e ligjit “Për Avokatin e Popullit”, të miratuara nga Parlamenti me Ligjin Nr. 9398 datë 12.05.200, e parashikojnë edhe trajtimin e këtyre ankesave, por pa përcaktuar rastet dhe mjetet e ndërhyrjes së Avokatit të Popullit. “Mjetet dhe mënyrat e reagimit të Avokatit të Popullit ndaj vendimeve gjyqësore të formës së prerë, gjithmonë duhen kuptuar si një kompetencë për të ushtruar të drejtën e paraqitjes së kërkesës për rishikim të këtyre vendimeve në Gjykatën e Lartë, si një nga mjetet e jashtëzakonshme që ligji u njeh subjekteve përkatëse në këto raste”, - thuhet në kërkesën e Dobjanit.
Propozimi
Sipas plotësimeve të propozuara, Avokati i Popullit do të bëhet një nga subjektet që kanë të drejtë të kërkojnë rishikim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga ana e gjykatave, si dhe do të kërkojë rishikimin e qëndrimit të Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë lidhur me vendimet unifikuese.
Gjithmonë bëhet fjalë që Avokati i Popullit, pas ankesës së qytetarëve, do të bëjë kërkesa për rishikim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë në rastet kur sita e kontrollit gjyqësor ka lejuar edhe gabime gjyqësore për të cilat nuk ka mjet tjetër korrigjimi. Sipas Dobjanit, është fakt se ligji sot lejon të dënuarin apo prokurorin që të bëjnë kërkesa rishikimi. Por shpeshherë të dënuarit apo viktimat e krimeve (familjarët e tyre), nuk kanë mundësi ekonomike për të paguar avokatë të aftë për të bërë kërkesa rishikimi. “Kjo kompetencë e Avokatit të Popullit për të bërë kërkesa rishikimi në Gjykatën e Lartë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duhet kuptuar se do të jetë në çmimin e gjykatës vendimi përfundimtar, pranimi ose refuzimi i kërkesës për rishikim. Pra nuk ka prekje të pavarësisë së Gjyqësorit”, - shpjegon Dobjani. Duket se kjo ide ka ardhur pas përvojës së prej shumë viteve që ka Ombusmani polak.
Ankesat
Avokati i Popullit ka sqaruar se në zyrën e tij ka shumë ankesa nga individë të ndryshëm ndaj vendimeve gjyqësore, veçanërisht ndaj atyre që kanë marrë formë të prerë. Sipas Dobjanit, aksesi i Avokatit të Popullit mbi vendimet gjyqësore, thjesht rrit garancitë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve rrit transparencën e Gjyqësorit si dhe pjesëmarrjen e publikut në dhënien e drejtësisë nga ana e gjykatës. Ky përfundim është nënvizuar vazhdimisht edhe në konferenca gjyqësore, kur është diskutuar për një pavarësi më të madhe të Gjyqësorit nga politika si dhe nga format e presionit korruptiv. Si i tillë, aksesi i Avokatit të Popullit nuk cenon aspak pavarësinë e Gjyqësorit. “Rritja e kompetencave në këtë drejtim për Institucionin e Avokatit të Popullit është një tregues dhe kërkesë e një shoqërie dhe qeverisje demokratike të zhvilluar, një mjet për të rritur kontrollin e ndërsjellë ndërmjet veprimtarisë së dy institucioneve që garantojë të drejtat e njeriut, që janë gjykatat dhe Avokati i Popullit”, - ka përfunduar në arsyetimin e tij, Dobjani.

Konkretisht, në Kodin e Procedurës Penale ndryshimet që propozohen janë:

I. Në nenin 438 të shtohet pika 5 si vijon:

5. “Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë rishqyrtimin e çështjes dhe të çdo vendimi të Kolegjeve të Bashkuara”

II. Në pikën 2 të nenit 449, pas fjalës “prokurorit”, të shtohet “ose të Avokatit të Popullit”. Kështu që pika 2 e nenit 449 bëhet “Vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit ose të Avokatit të Popullit, por me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit”.

III. Në nenin 451 të shtohet pika c:

c) Avokati i Popullit

IV. Në nenin 453, pika 1 të ndryshohet duke caktuar që kërkesa e rishikimit të shqyrtohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në seancë të hapur në praninë e palëve. Kështu që kjo dispozitë duhet të bëhet: “Kërkesa e rishikimit shqyrtohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në seancë të hapur, me praninë e palëve”.

Në Kodin e Procedurës Civile, në nenin 494, në paragrafin e dytë të shtohet: “ose Avokati i Popullit”. Kështu që ky paragraf bëhet: “Pala e interesuar ose Avokati i Popullit mund të kërkojë rishikimin e një vendimi që ka marrë formë të prerë, kur:…

Në ligjin “Për Avokatin e Popullit”, thuhet:

“Avokati i Popullit pranon ankesa, kërkesa ose njoftime për shkelje të të drejtave të njeriut, që rrjedhin nga administrata e pushtetit gjyqësor, vendimet e formës së prerë dhe procedurat gjyqësore. Hetimi dhe kërkesa e Avokatit të Popullit nuk prekin pavarësinë e gjykatës në marrjen e vendimeve”. Ndryshimi u bë vetëm për faktin që Avokati i Popullit të mund të pranojë ankesa edhe për vendimet e formës së prerë, sepse për të drejtat e tjera të Avokatit të Popullit kjo dispozitë nuk ka ndryshuar. Ndryshimet u bënë duke pasur parasysh përvojën dhe ligjin polak, që i jep akses Ombusmanit edhe mbi vendimet gjyqësore të formës së prerë. Në Komisionin e Ligjeve në atë kohë, (maj 2005) u tha se kjo do të mundësohet duke bërë më vonë ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin e Procedurës Civile, si rruga e duhur ligjore për trajtimin nga Avokati i Popullit të ankesave të qytetarëve kundër vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Kështu që duhet bërë plotësimi konkret i ligjeve, përkatësisht i neneve 438, 449, 451 dhe 453 të Kodit të Procedurës Penale si dhe të nenit 494 të Kodit të Procedurës Civile.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›