Deshmia, si gjeten vdekjen Elvira dhe vajza 3 muajshe
BERAT - Fshati Lapardha i rrethit të Beratit është kthyer sërish në vëmendjen e opinionit me një tjetër tragjedi, pas asaj të shpërthimit të cisternës me gaz disa javë më parë. Elvira Jaho, 22 vjeçe, së bashku me vajzën e saj të mitur, kanë humbur jetën mbrëmjen e së dielës, ndërsa tentonin të kalonin ilegalisht drejt Greqisë, ndërkohë që vetëm kryefamiljari i ka mbijetuar kësaj tragjedie të rëndë. Familja Jaho, në fshatin Lapardha 2, ka hapur dyert e shtëpisë për këtë mort, ndërkohë që trupat e pajetë të nuses dhe mbesës vetëm 3-muajshe kanë mbërritur pranë familjes në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe janë përcjellë për në fshatin Perondi të rrethit të Kuçovës, pranë familjes së prindërve të Elvira Jahos, të cilët do të kryejnë edhe përcjelljen e kufomave të vajzës dhe mbesës së tyre për në banesën e fundit. Siç kanë pohuar edhe familjarët, Dritan Jaho ishte një emigrant me dokumente të rregullta në shtetin grek, por nusja dhe vajza e tij e mitur nuk kishin asnjë dokumentacion për të kaluar kufirin shqiptar në mënyrë të rregullt, sepse Dritan dhe Elvira Jaho nuk ishin celebruar dhe Elvira vazhdonte të mbante ende mbiemrin e të atit të saj, mbiemrin Bakiu. Vdekja e vëllait të Elvirës rreth 1 muaj e gjysmë më parë është bërë shkak i ardhjes së çiftit të ri nga Greqia, ku jetonin bashkë prej 1 viti. Mungesa e dokumenteve të gruas dhe vajzës është bërë shkak i një udhëtimi tragjik drejt Greqisë. Tri ditë më parë çifti Jaho është nisur drejt qytetit të Sarandës, ku janë takuar me shtetas nga ky qytet, i cili u ka kërkuar nga 1 mijë euro për person në këmbim të shërbimit të tij për t’i kaluar në shtetin fqinj. Çifti Jaho ishte martuar 1 vit më parë dhe pas martesës Dritani kishte mundur ta kalonte të shoqen e tij në mënyrë ilegale drejt Greqisë, ku jetuan e lindën vajzën e tyre, Klara.
Dëshmia
Njëri nga familjarët e Dritan Jahos, Adil Jaho, është prononcuar për median duke deklaruar se kushëriri i tij u kishte paguar shtetasve që e nisën 2 mijë euro për të transportuar ilegalisht me varkë nusen dhe vajzën e tij, sepse ai vetë ishte me dokumente të rregullta dhe mund të kalonte pa probleme drejt shteti grek. Adil Jaho tregon se në momentin e mbërritjes së tij mbrëmjen e së dielës drejt qytetit të Sarandës, familjarët e kanë gjetur Dritanin në gjendje shoku dhe të papërgjegjshme. Për këtë arsye, mjekët i kanë rekomanduar familjarëve ta mbajnë Dritanin me qetësues deri në përmirësimin e tij. Familjarët bëjnë përgjegjës për këtë tragjedi shtetin, i cili nuk u krijon mundësinë të dalin në mënyrë të rregullt jashtë kufijve të vendit për të krijuar në shtetet fqinje një jetë më të mirë.
Ndërpriten kërkimet për gjetjen e 18-vjeçarit, nisin sot në mëngjes
SARANDË – Ekipet e kërkimit kanë ndërprerë dje pasdite kërkimet për gjetjen e 18-vjeçarit Ndriçim Miftari, nga fshati Imshtë i komunës Bubullimë të Lushnjës, të cilat pritet të rifillojnë sot në mëngjes. Ky fakt është konfirmuar nga policia e Sarandës, e cila ka njoftuar në orët e vona të pasdites së hënë ndërprerjen e operacioneve për kërkimin në ujërat e liqenit. Për gjetjen e tij në liqen, gjatë gjithë ditës kanë qenë të angazhuar 6 polumbarë në dy seanca të gjata, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë shenjë nga i riu. Sipas policisë, ekziston edhe pista se djali mund të jetë gjallë. Polumbarët kërkuan për rreth 2 orë në gjithë zonën e liqenit. Lajmi për humbjen e 18-vjeçarit është dhënë në mëngjesin e djeshëm nga dy bashkudhëtarët e tij, dhe më pas nga xhaxhai dhe i ati, të cilët kërkojnë nga policia që të merren masa për identifikimin e vendndodhjes.
REAGIMET
Deputeti i zonës
Qeveria i ktheu shqiptarët në “kubanezë”
Deputeti Erion Braçe, nga fshati Perondi e krahason Berishën e Topallin me Fidel Kastron.
Deputeti i Beratit, Erion Braçe, është ndalur paraditen e së hënës në familjen Bakiu, në fshatin Perondi të qytetit të Kuçovës, për të ngushëlluar prindërit e familjarët e Elvira dhe Klara Jahos. Gjatë një deklarate të dhënë në mediat, Braçe ka thënë se shqiptarët janë shndërruar në "kubanezët" e Fidel Kastros, por vetëm me një ndryshim, se në Shqipëri nuk kemi Fidel Kastron, por kemi Fidel Berishën dhe Fidelesha Topallin. Braçe ka pohuar se Shqipëria është i vetmi vend që aspiron të hyjë në NATO pa iu krijuar më parë mundësinë qytetarëve të tij të dalin jashtë kufijve të Shqipërisë nëpërmjet liberalizimit të vizave, siç edhe kanë vite që ua premtojnë.
2- G99-a: “Shqiptarët po humbin shpresën në këtë vend”
Kryetari i G99-s, Erion Veliaj, tha se tragjedia e Butrintit është një sinjal i qartë që tregon se njerëzit kanë humbur shpresën në Shqipëri si rezultat i pasojave të rënda që ka lënë keqqeverisja. “Gjatë këtyre ditëve ky kryeministër po na thotë ‘Shqipëria po ndryshon’ dhe është e vërtetë, ajo po ndryshon, po bëhet më keq se kurrë. Po bëhet një Shqipëri më e varfër, më e dëshpëruar, më e korruptuar, më e kapur se kurrë. Ajo që më shumë na dhemb sot është fakti që mosha mesatare e atyre që marrin rrugët sot, e atyre që u ndodhën në barkën e tragjedisë nuk është më shumë se 25 vjeç. Në atë barkë ishte dhe një grua shtatzënë dhe një çift i ri me një fëmijë të vogël. Këta qytetarë, këta të rinj, këta familjarë vinin nga të gjithë cepat e Shqipërisë”, - tha Veliaj.
3- LSI: “Qeveria dështoi në luftën kundër trafiqeve njerëzore”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas tragjedisë së Butrintit, duke fajësuar qeverinë dhe strukturat e shtetit për paaftësi në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama, tha se qeveria dështoi në angazhimin e saj për të luftuar fenomenin e trafikut të qenieve njerëzore. “Duke shprehur në emër të LSI-së ngushëllime për familjen Jaho nga Lapardhaja e Beratit për humbjen e njerëzve të saj të dashur në tragjedinë më të fundit, në atë të Butrintit, denoncojmë edhe një herë mosveprimin e strukturave të shtetit për mbrojtjen e jetës së qytetareve të këtij vendi. Rikthimi i fenomenit kriminal të trafikut të qenieve njerëzore, është dëshmia e radhës se qeverisja e këtij vendi është qeveri e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, e cila merakoset më shumë për fatin e Fazlliçit, sesa për jetët e qytetarëve shqiptarë”, - tha Rama.
4- Leskaj: “Shteti nuk mbron jetët e qytetarëve”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka shprehur dje në emër të Partisë Socialiste ngushëllime për familjet e prekura nga tragjedia e Butrintit. Leskaj tha se është për t’u dëshpëruar fakti që qeveria nuk po bën asgjë për të mbrojtur jetën e qytetarëve shqiptarë, por përkundrazi po i zhyt ata edhe më shumë në varfëri dhe mjerim. “Ndjehemi të dëshpëruar për tragjedinë e radhës, që mori jetë njerëzish në këtë vend, ku plagët hapen njëra pas tjetrës, duke dëshmuar mungesën e frikshme të shtetit. Ndjehemi të dëshpëruar që përsëri bëjmë ngushëllime për të tjera familje shqiptare, që janë sot në hall e në dhimbje të parrëfyeshme për shkak se shteti nuk mbrojti jetën e njerëzve të tyre. Ndjehemi të dëshpëruar që të tjerë shqiptarë të pafajshëm e të braktisur në varfërinë e tyre të pangushëllueshme, sakrifikohen me jetët e tyre e të fëmijëve. Ndjehemi të dëshpëruar që një tjetër vdekje në grup na tregon një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit vrastar, këtë herë në detin ku qeveria krenohet se ka ndaluar me ligj çdo mjet lundrimi”, - tha Leskaj.
Ringjallen linjat e trafiqeve në Shqipëri
Ngjarja e së dielës në mbrëmje pason disa raste të trafiqeve apo të tentativave për trafik të klandestinëve dhe drogës nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Disa muaj më parë “Europoli”, agjencia e specializuar e Bashkimit Europian në luftën kundër krimit, publikoi rrjetet e trafikut klandestin. Sipas ekspertëve të tij, aktualisht përdoren këto linja: Rrjeti që ka fluksin më të madh nis në Afrikën Veriore dhe bregdetin e Atlantikut në Afrikën Perëndimore duke hyrë në vendet e BE-së përmes Italisë, Spanjës dhe Maltës. E dyta është linja Mesdhetare Lindore me objektiv primar Greqinë, duke përdorur Turqinë dhe vendet e Lindjes së Mesme si vende transite. Linja e tretë është rrjeti ballkanik, i cili përdor vendet e Ballkanit Perëndimor si territore transite me objektiv vendet fqinje të BE-së, si Greqia, Italia, Sllovenia, Austria, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Ndërsa linja e katërt e trafikut klandestin është ajo europiano-lindore dhe qendrore e përdorur nga shtetet e ish-republikave të Bashkimit Sovjetik, ku emigrantët ilegalë futen në vendet fqinje të BE-së si Polonia, Çekia, Sllovenia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania. Ekspertët konstatojnë se zgjerimi i Bashkimit Europian ka shtuar edhe rrjetet e trafiqeve të klandestinëve. Agjentët e Europolit konstatojnë edhe një rrjet tjetër të krijuar së fundi, i njohur si linja baltike, ku shtetas të republikave të ish Bashkimit Sovjetik hyjnë në territoret e shteteve skandinave. Shqipëria është një ndër pikat transite që përdoret nga klandestinët për të kaluar drejt Perëndimit ose nga Mali i Zi, ose nga jugu i Greqisë. Rastet e zbuluara së fundmi, dhe organizimi i operacionit “Deti i Pastër”, me synim kontrollin e vijës bregdetare nga Saranda deri në Lushnjë flet se ka të dhëna për një rigjallërim të linjave të dikurshme të trafiqeve të qenieve njerëzore dhe drogës përmes detit Adriatik drejt Italisë. Fundjavën e kaluar u kap në Vlorë edhe një gomone 5.2 metra e gjatë, me 150 kilogram lëndë narkotike, e gatshme për tu nisur për Itali. Së fundi, autoritetet policore italiane ndaluan në Foxhia një motobarkë me 30 shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në bordin e saj, ku mes tyre ishte edhe një 26-vjeçare shtatzënë.
KLANDESTINËT E NDALUAR
1. Skëndër Ruçi, i lindur më 1965-n në Portës, Fier
2. Elidon Manaj, lindur më 1974-n në Patos, Fier
3. Brunilda Manaj, lindur më 1981-shin në Patos, Fier
4. Gerti Duraj, lindur më 1986-n në Frakull, Fier
5. Erion Duraj, lindur më 1987-n, në Frakull, Fier
6. Marsel Mataj, lindur më 1990-n, në Lushnjë
7. Elton Mehmeti, lindur më 1980-n në Cërrik
8. Taulant Duraj, lindur më 1988-n në Frakull, Fier
9. Artan Cobaj, lindur më 1992-shin, në Portëz, Fier
10. Sajmir Xhekalili, lindur më 1981-shin në Rukaj, Mat
11. Qemal Stashkollari, lindur më 1992-shin, në Lushnjë
12. Valbona Senja, lindur më 1982-shin, në Elbasan
13. Agim Shermadhi, lindur më 1956-n, në Klos të Elbasanit
14. Indrit Azisaj, lindur më 1988-n në Fier
15. Fatjon Sene, lindur më 1990-n në Mollas të Elbasanit
16. Ardian Lazaj, lindur më 1976-n në Mallakastër
17. Lavdosh Kuca, lindur më 1973-shin në Tepelenë
18. Vambaster Gjinushi, lindur më 1989-n në Tepelenë
19. Klodian Calliu, lindur më 1987-n në Durrës
20. Sokol Mali, lindur më 1985-n në Pezë Helmes Tiranë
21. Maringlen Hoxha, lindur më 1978-n në Fier
22. Denis Zema, lindur më 1991-shin në Lushnjë
VIKTIMAT
Elvira Jaho, lindur në Perondi të Kuçovës, 21 vjeçe
Klara Jaho, lindur në Greqi, banuese në Lapardha 3-muajshe
I ZHDUKUR
Ndriçim Myftari, lindur në vitin 1990 në Bubullimë Lushnjë
21 Tetor 2008