E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, shpallen në kërkim tre organizatorët fierakë të trafikut klandestinë



TIRANË/FIER – Në shënjestër të rrjetit ndërkombëtar të trafikut klandestin janë vënë tre shtetas nga Fieri. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se tragjedia e ndodhur në Butrint të Sarandës mund të jetë organizuar nga persona me banim në Fier. Të paktën kjo është pista në të cilën po hetojnë blutë e Fierit, burime nga të cilat pohojnë se përgjatë orëve të vona të ditës së diel dhe ditës së hënë kanë punuar për të gjetur autorët e trafikut. Burimet zyrtare të policisë vendore tregojnë se pas shkëmbimit të informacioneve me policinë e Sarandës ka rezultuar se tre nga katër trafikantët që kanë organizuar largimin e paligjshëm të kufirit janë shtetas me banim në qarkun e Fierit.
Tre emrat e trafikantëve të shpallur në kërkim nga policia janë: Yqmet Sollaku, me banim në fshatin Kuman të rrethit Fier, Albert Gega, banor i fshatit Kuman si dhe Brahim Madhi, lindur në fshatin Luar dhe banor i Roskovecit. Sipas burimeve të policisë së Fierit, e cila ka ngritur të gjithë skemën e trafikut të klandestinëve, mësohet së lëvizja e fundit drejt Greqisë në mënyrë jo të ligjshme është organizuar prej afro një jave, ndërkohë që dy ditët e fundit është bërë grumbullimi i klandestinëve.
Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:30 janë nisur nga liqeni i Butrintit drejt Greqisë dy varka me rreth 25 veta. Për t’iu shmangur postbllokut të shërbimeve të Policisë Kufitare, të dislokuara pranë vendit të quajtur “Lundra”, personat kanë marrë varkat pas parkut, tek ish-peshkimi, në vendin e quajtur “Bufi”. Të ndarë në dy varka, shtetasit janë nisur për në Xarrë, por fatkeqësisht, pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga varkat është përmbysur, duke i hedhur në ujë të gjithë. Nga hetimet rezultoi se barka e përmbysur ishte prej druri, përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve dhe në të kishin hipur 13 persona. Në këtë tragjedi gjetën vdekjen Elvira Jaho dhe vajza e saj 3-muajshe Klara, ndërsa një 18-vjeçar konsiderohet i zhdukur. Policia ka marrë në pyetje të gjithë emigrantët e ndaluar, ndërsa zyrtarisht pohohet nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit se janë identifikuar katër personat që organizuan trafikun dhe janë shpallur persona në kërkim.

ORGANIZATORËT E TRAFIKUT
Yqmet Sollaku, me banim në fshatin Kuman të rrethit të Fierit
Albert Gega, me banim në fshatin Kuman të rrethit të Fierit
Brahim Madhi, lindur në fshatin Luar dhe banor i Roskovecit

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›