E Diel, 1 Nëntor 2026

Një tjetër kampist grabitet, dy maska me armë i marrin 40 mijë euro



SHKODËR – Një tjetër kambist ka rënë pre e dhunës dhe e grabitjes nga persona të ndryshëm, të cilit dyshohet se i kanë marrë një shumë prej 40 mijë eurosh. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm është grabitur shtetasi Altin Heqimi nga dy persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ndodhi në lagjen “Dërgut” të qytetit verior. Sipas të dhënave paraprake, të dala nga dëshmia e kambistit 37-vjeçar, persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndaluar në mes të rrugës, duke i rrëmbyer çantën në të cilën kishte paratë dhe më pas janë zhdukur me një motoçikletë. Kjo ngjarje vjen pas tri grabitjeve të bujshme që ndodhën gjatë dy muajve të fundit në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Pogradecit.
Grabitja
Altin Heqimi ka dalë dje në mëngjes nga shtëpia për të shkuar si çdo ditë në drejtim të tregut informal të këmbimit valutor. Ishte ora 7.30, kur ai është përballur me dy djem që po udhëtonin me motor. Ata kanë nxjerrë armën dhe i kanë zënë pritë kambistit, pasi duket se kishin informacion për aktivitetin e 37-vjeçarit. Nën kërcënimin e armës, ata i kanë marrë çantën, në të cilën dyshohet se Heqimi kishte 40 mijë euro. Dy të rinjtë janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa personi i grabitur ka shkuar në komisariatin e policisë për të kërkuar ndihmë. I dëmtuari denoncoi në policinë e Shkodrës se posedonte shuma të ndryshme valute dhe lekësh që në total arrijnë në të paktën 40 mijë euro. Policia tha se ka nisur kërkimet por ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve që grabitën me forcë 37-vjeçarin shkodran. Sipas dëshmisë, dy autorët e kësaj ngjarje janë në moshë të re.
Ngjarjet
Kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm grabitjet me dhunë të personave që ushtrojnë aktivitetin ilegal të shkëmbimit të valutës. Më 3 tetor të këtij viti në qytetin e Pogradecit mbeti i vdekur kambisti Beqir Basha, ku u arrestua për këtë ngjarje Bashkim Muçka. Disa ditë para kësaj ngjarje i grabit kampisti tjetër Fari Fanxho në afërsi të Gjykatës së Rrethit gjyqësor të Tiranës. Grabitësit i morën Fanxhos një shumë prej 50 mijë eurosh. Një tjetër ngjarje e ngjashme ndodhi në Elbasan ku pesë persona nga rrethe të ndryshme të vendit i grabitën me dhunë 2.5 milionë lekë kambistit Arben Kovaçi. Policia organizoi operacionin e koduar “Shkozeti”, ku arrestoi disa persona nga rrethet e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit në lidhje me këtë grabitje.
Aktiviteti informal i personave që merren me shkëmbimin e valutës është i kërcënuar çdo ditë nga grabitësit. Megjithëse Banka Qendrore ka urdhëruar që të mbyllen këto tregje në Tiranë dhe në rrethe, sërish me dhjetëra persona kryejnë aktivitetin e tyre në mjedise publike, ku në jo pak raste bien viktimë e grabitjes nga persona të ndryshëm.

21 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›