Ngjela: Qeveria e Berishës ka humbur aksionet
Intervista/ Avokat Spartak Ngjela, flet për partinë e tij të re dhe koalicionin që është në prag, "Poli i Lirisë"
TIRANË- Pas zyrtarizimit të partisë së re, Ligj dhe Drejtësi, deputeti Spartak Ngjela ka shpalosur në një intervistë për "Shekulli"-n, pikat kryesore të programit. Ngjela flet për bashkëpunëtorët e tij, si dhe për garën e ardhshme parlamentare.
Z. Ngjela, sot keni zyrtarizuar partinë, që ju do të drejtoni, Ligj dhe Drejtësi. Cilat do të jenë shtyllat e programit të kësaj partie?
Partia Ligj dhe Drejtësi ka dalë në skenën e politikës shqiptare për të sjellë risi në disa aspekte të jetës shoqërore; por mbi të gjitha, duke paraqitur programin e vet, mendon se është në gjendje që të ndryshojë këtë situatë të rëndë, si në ekonomi ashtu edhe në prapambetjen institucionale që e karakterizon. Programi ynë është një reformë katërfishe: reformë në treg; reformë në sistemin financiar dhe në sistemin bankar; reformë institucionale dhe reformë në arsim. Që të katra janë të lidhura me njëra-tjetrën, e sidomos që të katra janë të lidhura edhe me aspektin qendror të krizës sonë: mosrespektimi i ligjit, dhe mungesa e drejtësisë. Për një politikë është e domosdoshme që ta kapë një kontradiktë dhe të ketë aftësinë që ta zgjidhë atë. Ne mendojmë se kontradikta thelbësore e shoqërisë sonë është mungesa dhe moszbatimi i ligjit. Ne do ta zgjidhim këtë mangësi që na ka shkaktuar një gjëmë të stërzgjatur kohore. Shumë shpejt do ta shihni konkretisht paraqitjen e detajuar të programit tonë.
Ju kemi parë sot me një tjetër deputet, që ka ardhur po nga PD-ja, Gilman Bakalli. A do të shohim figura të tjera në këtë parti, që dëshirojnë të angazhohen në partinë tuaj, programi i së cilës është i djathtë?
Ka shumë figura që do të angazhohen në politikë me Partinë Ligj dhe Drejtësi. Ne do të pranojmë çdo vlerë intelektuale, profesionale dhe kemi dëshirë që të jemi një parti elitare, ashtu sikundër që nuk është asnjë parti tjetër. Partia Ligj dhe Drejtësi kërkon të ndryshojë gjendjen e rëndë në Shqipëri; kërkon që të bëjë një revolucion në menaxhment, dhe këtë do ta bëjë me pjesën më të kualifikuar dhe më të ndershme të shoqërisë shqiptare.
Në zgjedhjet e 2005-ës, PD-ja erdhi në pushtet me votat e ish-të përndjekurve, por edhe ish-pronarëve, duke premtuar dëmshpërblim dhe kompensim. Asnjë prej këtyre dy zotimeve kryesore nuk u zbatua, ndërkohë që ju sot keni premtuar se dy kategoritë në fjalë do të jenë pjesë e agjendës suaj. Pse duhet të besojmë se partia që ju drejtoni, do të plotësojë pikërisht këtë zotim? A keni strategji konkrete se si do të përmbushen detyrimet sa më sipër?
Ne nuk jemi parti e një shtrese; Partia Ligj dhe Drejtësi është parti e hapur e qendrës së djathtë, që kërkon të ngrejë nivelin e lirisë në shoqërinë shqiptare, por edhe të vendosë moralitetin. Prandaj, të gjitha shtresave shoqërore që u është bërë padrejtësi, do të kenë mbështetjen tonë, pa pasur fare kujdes nëse janë apo s'janë me ne. Ne do të vendosim ligjin dhe drejtësinë në Shqipëri, dhe nga kjo do të përfitojnë të gjithë. Ne jemi për një ekonomi tregu të lirë, për iniciativën e lirë private dhe për ngritjen e personalitetit të njeriut, kjo është deviza e Partisë Ligj dhe Drejtësi.
Është folur shumë për krijimin e një koalicioni të djathtë, "Poli i Lirisë". Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, por edhe ju personalisht, jeni shprehur pro në parim. Kur do të presim një lëvizje konkrete për krijimin e këtij koalicioni?
Ne kemi rënë dakord në parim. Por, sigurisht që aleancat janë marrëveshje kontraktuale me një bazë të fortë konsensusi. Ne ende nuk e kemi bërë një marrëveshje, por jam i mendimit se do ta bëjmë një të tillë për të sjellë në ambientin politik shqiptar një koalicion të ri me personalitet.
Si e shihni garën e ardhshme parlamentare dhe sa janë shanset e së djathtës për t'i fituar këto zgjedhje, duke pasur parasysh se ky spektër vjen pas katër vite qeverisjeje?
Është shpejt për të folur. Qeveria aktuale është me aksione tepër të rëna; ka humbur çdo peshë në opinionin publik shqiptar. Po kështu edhe Partia Socialiste; e cila nuk ka treguar për asnjë rast një seriozitet opozitar. E gjithë kjo, çel hapësirë për forca të reja politike. Por është shpejt, ashtu sikundër që theksova; dhe nuk duhet të biem në pozitën qesharake të sondazheve të para disa ditëve, që i mërzitën shqiptarët dhe treguan se të dyja partitë e majta, PS-ja dhe PD-ja, ende nuk po dalin dot nga fenomeni abuziv i Partisë së Punës.
Intervistoi:
Për programin e partisë
Programi ynë është një reformë katërfishe: reformë në treg; reformë në sistemin financiar dhe në sistemin bankar; reformë institucionale dhe reformë në arsim. Që të katra janë të lidhura me njëra-tjetrën, e sidomos që të katra janë të lidhura edhe me aspektin qendror të krizës sonë: mosrespektimi i ligjit, dhe mungesa e drejtësisë. Për një politikë është e domosdoshme që ta kapë një kontradiktë dhe të ketë aftësinë që ta zgjidhë atë.
Për angazhimin e figurave
Ka shumë figura që do të angazhohen në politikë me Partinë Ligj dhe Drejtësi. Ne do të pranojmë çdo vlerë intelektuale, profesionale dhe kemi dëshirë që të jemi një parti elitare, ashtu sikundër që nuk është asnjë parti tjetër.
Synimi i Partisë Ligj dhe Drejtësi
Ne nuk jemi parti e një shtrese; Partia Ligj dhe Drejtësi është parti e hapur e qendrës së djathtë, që kërkon të ngrejë nivelin e lirisë në shoqërinë shqiptare, por edhe të vendosë moralitetin. Prandaj, të gjitha shtresat shoqërore që u është bërë padrejtësi, do të kenë mbështetjen tonë, pa pasur fare kujdes nëse janë apo s'janë me ne. Ne do të vendosim ligjin dhe drejtësinë në Shqipëri, dhe nga kjo do të përfitojnë të gjithë.
Për fituesin e ardhshëm
Qeveria aktuale është me aksione tepër të rëna; ka humbur çdo peshë në opinionin publik shqiptar. Po kështu edhe Partia Socialiste; e cila nuk ka treguar për asnjë rast një seriozitet opozitar. E gjithë kjo, çel hapësirë për forca të reja politike. Por është shpejt, ashtu sikundër që theksova.