Denoncoi dhunën e bashkëshortit, merret në mbrojtje 31-vjeçarja
Tiranë – Ditët e fundit ishin shndërruar në një “ferr” për një grua të re në Tiranë, ndaj ajo e ka sosur durimin, duke kërkuar ndihmën e policisë, që ta mbajë larg dajakut të burrit.
Ngjarja
Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Nr. 4, konfirmuan dje për gazetën “Albania”, se kanë plotësuar dje kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për 31-vjeçaren Benarda T. Gruaja e re, banuese në Tiranë, në rrugën “Qemal Stafa”, ka pohuar faktin se bashkëshorti i saj 36-vjeçar Alfred Tafalla, nga i njëjti vendbanim, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Policia, tha se mori masat për ta mbajtur larg gruan e dhunuar nga i shoqi, duke iu referuar ligjit Nr. 9669, datë 8 dhjetor 2006 “Për dhunën në familje”, kurse materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Rasti
Policia e Beratit ka kryer të dielën ndalimin e një 61-vjeçari, pasi ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë mbrëmjes së ditës enjtes, ndërkohë që e dëmtuara ka mbërritur në spital vetëm mesditën e së shtunës, kur është gjetur në gjendje koma nga e bija e saj e martuar, që kishte ardhur në familje për vizitë. “63-vjeçarja Lizheta Miçe, banore e lagjes ‘Kushtrimi’, nënë e tre fëmijëve, mesditën e së shtunës ka mbërritur në repartin e kirurgjisë me fraktura të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe me një gjendje tepër të rënduar psikologjike”, - pohojnë mjekët e spitalit të Beratit. Burime të policisë shtojnë se kanë arrestuar bashkëshortin e saj, 61-vjeçarin Prokop Miçe, si shkaktar të dhunës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të ditës së enjte, në banesën e bashkëshortëve Miçe, në lagjen “Kushtrimi” të Beratit. Kryefamiljari ka ardhur në shtëpi në gjendje të dehur dhe ka këmbëngulur që të vazhdojë të pijë edhe aty. Por ka reaguar bashkëshortja, duke e këshilluar dhe duke këmbëngulur që ai të mos pijë. Në këto momente, 61-vjeçari ka nisur ta rrahë gruan, fillimisht me grushte, shqelma dhe mjete të forta. Gruaja ka pësuar plagë dhe fraktura, por dhunuesi ka qëndruar "roje" dhe për ta mbajtur të fshehtë, nuk e ka dërguar viktimën e tij në spital. Të shtunën në mesditë, në shtëpi ka ardhur vajza e martuar, ku ka parë të ëmën në gjendje të rëndë. E ka dërguar menjëherë në spital në përkujdesjen e mjekëve. Sipas bluzave të bardha, 33-vjeçarja rrezikon të humbasë të folurën. Me të mësuar ngjarjen e rëndë, policia ka bërë arrestimin e 61-vjeçarit Prokop Miçe, bashkëshortit dhunues. Në ditët në vazhdim ai do të përballet me drejtësisë për dhunën fizike e psikologjike ndaj gruas.
16 Qershor 2009