Denoncojnë dy prostitutat, 33-vjeçari në kërkim
POGRADEC - Policia shpall në kërkim një 33-vjeçar nga Pogradeci me akuzën për trafikim femrash me qëllim prostitucioni drejt Greqisë. Sipas burimeve nga policia, i kërkuari është denoncuar nga dy femra të cilat kanë pretenduar se 33-vjeçari ka tentuar t'i shfrytëzojë për qëllime prostitucioni duke i trafikuar në Greqi. "Gani Mukollari, 33 vjeç me banim në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit, është shpallur në kërkim për akuzën e trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni", thanë burimet nga policia. Sipas tyre, hetimet për këtë rast trafikimi kanë filluar nga denoncimi i dy femrave të cilat pretendojnë se 33-vjeçari Mukollari ka arritur t'i dërgojë në Greqi dhe sipas kallëzimit i ka shfrytëzuar atje. Shtetaset Afërdita G, 43 vjeçe me banim në Bilisht, si dhe Lulëzime L, 50 vjeçe, banuese në një fshat të Korçës, kanë denoncuar së bashku në polici 33-vjeçarin nga Pogradeci duke e akuzuar për shfrytëzim prostitucioni me qëllime përfitimi. Policia tha se dy femrat, në denoncimin e tyre kanë pohuar se fillimisht 33-vjeçari u ka premtuar t'i ndihmonte për pajisje me vizë greke dhe udhëtim të ligjshëm por më pas i ka trafikuar në Greqi në rrugë ilegale. Dy gratë kanë thënë se kaluan në Greqi nga kufiri tokësor në zonën e Devollit dhe më pas u vendosën në qytetin e Katerinit në Greqi. Ato kanë denoncuar se pasi kanë mbërritur në këtë qytet, të dyja janë detyruar të ushtrojnë prostitucion për llogari të 33 vjeçarit të shpallur tashmë në kërkim nga policia. Dy gratë u paraqitën për kallëzim në polici pasi u riatdhesuan nga Greqia. g.a