Mundet Besa, Dinamo “vret” kampionatin
Leonard Karaj
Dinamo ka fituar dje ndeshjen ndaj rivalëve kryesorë për titull, Besës së Kavajës duke hipotekuar formalisht titullin kampion për këtë sezon.Pesëmbëdhjetë pikë diferencë. Kaq është largësia e krijuar pas ndeshjes direkte së luajtur dje mes bluve të çim Muçës dhe verdhezinjëve të Shpëtim Duros. Ndonëse matematikisht shpresat ekzistojnë ende, logjikisht Dinamo ka “vrarë” kampionatin duke mbyllur çështjen e titullit për këtë sezon. Ndaj, kur ende nuk ka nisur as faza e tretë e sezonit, ekipeve pas Dinamos në renditje nuk u mbetet veçse të bëjnë hesapet ndër vete për një vend në Kupat e Evropës dhe për trofeun tjetër të rëndësishëm, Kupën e Shqipërisë.
Ndeshja
Sa i takon ndeshjes së fundit, asaj përmbyllëse të javës së 21-të, luajtur në “Qemal Stafa”, ka vendosur goli i shënuar në minutën e 33-të nga argjentinasi Souza. Më pas, ka qenë një mbrojtje hermetike e Dinamos, që niste nga mesfusha, duke i mbajtur kavajasit larg portës së Kotorrit. Natyrisht, Besës i ka munguar disi qetësia dhe qartësia në ndërtimin e aksioneve, por kjo është diktuar edhe nga kundërshtari, që ka qenë i vendosur në mënyrë të përsosur në fushë nga trajneri Muça.
Përpjekjet
Nga ana e tij, trajneri Shpëtim Duro i Besës ka provuar gjithçka, qoftë me zëvendësimet e kryera, qoftë me ndërrimin e roleve të lojtarëve në fushë, por nuk ia ka dalë mbanë. Goli i Souzës ka mbetur i paprekur deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor Lorenc Jemini, çka e ka mbajtur në “shtëpi” fitoren, i ka dhënë Dinamos 3 pikë të tjera, të cilat e kanë distancuar plot 15 pikë nga ndjekësit më të afërt, verdhezinjtë. Në të njëjtën kohë, “de facto” ka shuar çdolloj enigme apo intrige për sa i përket luftës për titullin kampion. Titull, i cili e ka marrë rrugën prej kohësh drejt Dinamos, por tashmë është “hipotekuar” prej saj, edhe pse jo matematikisht.