Paris, muzeu i vjedhjes pa sistem alarmi, rojat në gjumë
Sistemi i prishur i alarmit ka mundësuar vjedhjen e pesë pikturave me vlerë superiore monetare dhe kulturore nga muzeu i Artit Modern në Paris, orët e para të së enjtes. Autoritetet zbuluan se prej tri muajsh alarmi shumë milionë eurosh i muzeut ishte prishur. Rojat besohet se ishin duke dremitur ndërsa ishin në detyrë (pasi nuk kanë ndjerë as thyerjen e drynit dhe as të xhamit), dhe kamerat e jashtme të sigurisë ishin të pozicionuara kaq keq, sa shumë prej tyre mund të shikonin vetëm pjesë të tavanit. Sipas britanikes “Telegraph”, me alarmet e sigurisë të prishura, hajduti e ka pasur kaq të thjeshtë të kryente vjedhjen, sa mjaftoi të thyente xhamin e një dritareje. Më pas ai ka kaluar ekzaktësisht 15 minuta në ndërtesë. “Jam shumë i zemëruar për këtë”, tha Bertrand Delanoe, kryebashkiaku socialist i Parisit, i cili tha se rreth 16 milionë euro ishin shpenzuar vetëm për sistemimin e sistemit të alarmit në këtë muze, të kryer në vitin 2006, një proces që kishte zgjatur 2 vjet. Kur sistemi ishte prishur muaj më parë, më 30 mars ishin riparuar disa pjesë të tij, por nuk kishin arritur dot ta riparonin të gjithin. Besohet se “alpinisti” ka hyrë në ndërtesë rreth orës 3:45 të mëngjesit. I gjithë stafi i muzeut është marrë në pyetje nga hetuesit, të cilët mendonin se hajduti mund të kishte lidhje me dikë brenda muzeut që e ka ndihmuar. Sipas “Independent”, veprat kurrsesi nuk mund të shiten, dhe askush përveçse ndonjë kreu mafioz, nuk mund t’i marrë ato. Por sipas thashethemeve, pesë pikturat ka mundësi të mbahen peng dhe të kthehen pasi sigurimet të kenë dhënë një këst që “të nxjerr lot nga sytë”. Punët e munguara janë “pëllumbi me bizele” e vitit 1912 të Picasso-s, vepra e vitit 1905 e Matisse, “Pastoral”, “Pema e ullinjve” e Georges Braque dhe “Gruaja me erashkë” e Amedeo Modiglianit. Gjatë muajve të fundit në Francë është rritur numri i veprave të vjedhura të artit. Një koleksion privat i 30 pikturave, përfshirë punë të Picasso dhe Henri Rousseau u vodh nga një shtëpi në jug të Francës në janar.
Miliarda të humbura
FBI-ja amerikane vlerëson se shumë e të gjitha veprave të artit të vjedhura në botë është më shumë se 6 miliardë euro. “Regjistri i Arteve të humbura” liston më shumë se 170,000 pjesë të vjedhura arti. Picasso është artisti më i vjedhur në botë, për shkak të vlerave marramendëse të punëve të tij. Ka më shumë se 550 vepra të vjedhura të Picasso-s.