E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncon administratori i KURUM-it, ndalohen dy turqit

26/04/2009  Përfituan me mallrat

ELBASAN- Rreth 150 mijë euro është shuma që kanë përfituar dy punonjës turq të firmës KURUM duke mashtruar me gjendjen reale të mallit. Në prangat e policisë kanë rënë Murat Mehmet Gunderdi 31 vjeç shtetas turk me banim në Elbasan, me detyrë inxhinier pranë firmës turke “Kurum Internacional” dhe Mustafa Isuf Turgul 45 vjeç me shtetësi turke, me banim në Elbasan. Dy punonjësit janë ndaluar një natë më parë në banesat e tyre nga Seksioni kundër Krimit Ekonomiko-financiar. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi është regjistruar një kallëzim nga administratori i firmës turke “Kurum-Internacional” Koray Izytonoglu. Ky i fundit i akuzon dy punonjësit se kanë paraqitur gjendje të rreme nga veprimet tregtare të firmës nga muaji maj i vitit 2008 e në vazhdim për të përfituar nga shitja e mallit deri në shumën 150 mijë euro. Dy shtetasit turq të ndaluar tashmë akuzohen për “falsifikim i dokumenteve e kryer në bashkëpunim” “mashtrim i kryer në bashkëpunim” si edhe korrupsion pasiv në sektorin privat”. Pas arrestimit të turqve në banesat e tyre në Elbasan, nga agjentët janë bllokuar në cilësinë e provës materiale 2 pasaporta të shtetasit Murat Gunderdi dhe një pasaportë e shtetasit Mustafa Tungul, ky i fundit sapo kishte aplikuar për të marrë një vizë në shtetin etiopian për të punuar atje. Po kështu është bllokuar edhe deklarata noteriale, situatat e rreme dhe materialet e tjera që i implikojnë dy turqit. Mësohet se prej muajsh dy shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin deklaronin sasi më të vogël të mallit të shitur dhe pjesën tjetër e përfitonin në llogaritë e tyre. I gjithë hetimi ka nisur pasi drejtues të firmës janë vënë në dyshimi për punonjësit. Por kur kishin planifikuar gjithçka madje dhe largimin nga Shqipëria, dy shtetasit janë zbuluar dhe menjëherë efektivat blu i kanë arrestuar. L.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›