E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncon burrin: Më rreh mua dhe fëmijët

Hatixhe Alimeti akuzon bashkëshortin, 54-vjeçar për dhunë fizike. Rrihemi prej tri vitesh
Policia shoqëron të akuzuarin: Rastet e dhunës brenda familjes janë në shtim. S'dimë si të veprojmë
BERAT-Dhuna që bashkëshorti ushtronte në familje, kanë dërguar dje në dyert e policisë, Hatixhe Alimetin, 47-vjeç dhe vajzën e saj, Valbonën, 17-vjeçare. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Beratit, mësohet se nënë e bijë kanë bërë denoncimin për dhunuesin, 54-vjeçarin, Tafil Alimeti, duke kërkuar mbrojtje nga policia. Si kanë dëshmuar ato, nuk mund të shkojnë në shtëpi, prej frikës, se do të vazhdojnë të rrihen. Pas denoncimit, policia ka shoqëruar në komisariat 54-vjeçarin, banues në fshatin Lybesh të komunës Vërtop të Beratit.
Denoncimi
Ato e kanë akuzuar kreun e shtëpisë për dhunë të vazhdueshme fizike, ndaj gruas dhe fëmijëve. "Nuk mundet të durojmë më dhunën e pa mëshirshme që ushtron burri im ndaj meje dhe fëmijëve çdo ditë",-mësohet të ketë thënë gruaja në polici. Sipas burimeve, ajo ka treguar edhe raportin e marrë nga mjeku ligjor, ndërsa prej zorit është munduar të fshehë shenjat e dhunës nga bashkëshorti. "Nuk mundet të shkojmë më në shtëpi po nuk morët masa. Të paktën të mundësoni ndalimin e dhunës që bëhet ndaj nesh"- ka vazhduar pohimin e saj gruaja, në kulmin e dëshpërimit, së bashku me vajzën. Ato, të dyja kanë treguar se nuk dinë ku ta gdhijnë natën. E kanë paraqitur situatën tragjike, aq sa nuk kanë dashur të kthehen në banesën e tyre, pasi sipas tyre, ai edhe mund t'i vrasë.
Shkaku
Varfërinë ka përcaktuar si shkak të dhunës gruaja që denoncoi bashkëshortin e saj. E pyetur nga oficerët e policisë, 47-vjeçarja ka pranuar se ata janë të varfër dhe burri, jo vetëm që nuk punon, por shtiret i sëmurë. "Ai thotë se sheh natën ëndrra me gjarpërinj dhe dhunë, ndaj sillet në këtë mënyrë"- thotë gruaja, duke shtuar se ndihen të kërcënuara për jetën.
Policia
Pas denoncimit, policia i është drejtuar fshatit ku banon familja Alimeti, në fshatin Lybesh të Beratit. Sipas burimeve zyrtare 54-vjeçari është shoqëruar në komisariatin e policisë dhe pritet që të merret në pyetje. Nga ana tjetër burime zyrtare të policisë pohojnë se me raportin që ka marrë gruaja tek mjeku ligjor nuk mundet të mbahet në burg burri dhunues. "Në këtë rast nuk kemi si të veprojmë, pasi edhe pse ligji kundër dhunës në familjes është aprovuar ai ende nuk ka dalë në gazetën zyrtare për tu zbatuar"- thonë burimet .
 
Dëshmia
Ushqehemi me tokën dhe një dhi
Prej tri vitesh gruaja ka pranuar se dhunohet fizikisht nga bashkëshorti. Bashkë me të, sipas saj, dhunohen edhe fëmijët. "Aq e mërzitshme na është bërë jeta sa jemi gati të sakrifikohemi, pasi nuk durojmë dot më"- ka thënë ajo. Familja e saj, sipas gruas është shumë e varfër. Në shtëpi kanë vetëm 5 dhi dhe nuk kanë gjë tjetër me se të ushqehen. "Tokën e punojmë me krahë, pasi nuk kemi lekë që të porositim traktor. Kam 4 fëmijë, dy vajza e dy djem që ende presin nga ne për t'i ushqyer"- tregon ajo. Gruaja mësohet të ketë pohuar se ishin shkaqet ekonomike, ato të cilat shkaktonin konflikt mes çiftit dhe se në gjaknxehtësi e sipër ai bëhej I dhunshëm, por më pas ndihej i penduar.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›