Fut armën në brez, plagos veten 20-vjeçari
Fatbardh Biberi, në gjendje të rëndë. Hetim armës pa leje
TIRANË- Vetëplagoset aksidentalisht një 20-vjeçar në Tiranë. Fatbardh Biberi nga Tirana ka qëlluar veten pa dashje me pistoletë, dy ditë më parë. I riu u transportua menjëherë në spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rëndë në reanimacion. Mësohet se 20-vjeçari po vendoste pistoletën në brez, kur arma është shkrepur aksidentalisht dhe një plumb e ka dëmtuar atë. Të parët që konstatuan ngjarjen janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë duke e transportuar në spital. Ndërkohë që efektivat e policisë, të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën menjëherë për të zbardhur rrethanat e plagosjes. Oficerët e policisë morën në pyetje dëshmitarët të cilët treguan dhe versionin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton që Biberi është vetëplagosur aksidentalisht. "20-vjeçari po vendoste armën në brez ku ajo është shkrehur pa dashje dhe plumbi e ka zënë atë rrëzë kofshëve, duke e plagosur rëndë",- thanë burime zyrtare nga policia e Tiranës. Të njëjtat burime shtuan se Biberi e posedonte pa leje pistoletën me të cilën u vetëqëllua pa dashje. "Pritet përmirësimi i shëndetit të të plagosurit me qëllim që të merret në pyetje. Deri më tani rezulton se pistoletën me të cilën ai qëlloi veten aksidentalisht e posedonte pa leje. Ndaj dhe i riu akuzohet për armëmbajtje pa leje"- thanë më tej burimet policore. Policia sekuestroi pistoletën me të cilën u dëmtua i riu ndërsa po vazhdon hetimet për të dokumentuar ngjarjen.