E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i Laçit: Polici i bashkisë hodhi granatën në dyqanin e peshkut

Paulin Kalthi është arrestuar nga policia e Laçit në spitalin ushtarak. Pranga dhe bashkëpunëtorëve Gjergj Sokolaj e Kristo Gazhani
LAÇ- Autori i hedhjes së granatës që shkaktoi gjashtë të plagosur dy ditë më parë në qytetin e Laçit është një nga vetë të plagosurit. Paulin Kalthi, punonjësi i policisë bashkiake është personi që ka organizuar dhe kryer atentatin e rëndë. Ai ka pasur si bashkëpunëtorë Gjergj Sokolajn, edhe ky i plagosur lehtë, dhe Kristo Gazhanin. Të dy këta persona janë arrestuar nga policia si bashkëpunëtorë në krim. Të gjithë të arrestuarit janë tradhtuar nga përgjimet telefonike që janë bërë gjatë këtyre orëve nga policia e Laçit. Policia ka zbuluar edhe motivin e krimit, i cili është një sherr mes policit bashkiak dhe pronarit të dyqanit të peshkut, Ilir Lenës.
Janë dashur 20 orë kërkime dhe 50 të shoqëruar në polici për të zbardhur në një kohë rekord ngjarjen e rëndë që tronditi dy ditë më parë qytetin e Laçit. Dëshmitarët okularë i kanë pohuar policisë se në momentin e shpërthimit aty ka qenë edhe shtetasi Kristo Gazhani. Menjëherë pas ngjarjes ai ka hyrë në shtëpi dhe nuk ka dalë më prej andej. Bazuar në këtë informacion policia lokale ka nisur të përgjojë telefonin e tij por edhe të grumbullojë informacione në lidhje me lëvizjet e kryera gjatë ditëve të fundit. Rreth orës 18.30 të ditës së djeshme Gazhani ka dalë nga banesa e tij dhe menjëherë është përballur me forcat e policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar më pas në banesë janë gjetur disa prova që e implikonin në krim. Kur i janë vënë prangat dhe i janë treguar përgjimet telefonike, Gazhani është dorëzuar duke rrëfyer të gjithë ngjarjen.
Ai ka pohuar në polici se granata është hedhur në lokalin e peshkut nga polici bashkiak Paulin Kalthi. Ai kishte ideuar gjithçka dhe kishte marrë për "përforcime" dy miqtë e tij Gazhani dhe Sokolaj. Sipas dëshmisë së Gazhanit, Kalthi kishte pasur me vete granatën ndërsa Sokolaj kishte pasur një pistoletë të modifikuar me dy tyta. Roli i tij ishte të ruante lëvizjet e pronarit të dyqanit të peshkut dhe në rast se ai do të reagonte, do të hapte zjarr. Ndërkohë Gazhani duhet të ruante zonën përreth dhe të njoftonte shokët për ndonjë lëvizje të dyshimtë. Por polici bashkiak nuk ka ditur të bëjë llogaritë ashtu siç duhet pasi shpërthimi i granatës defensive ka plagosur vetë atë dhe mikun e tij Sokolaj. Në momentin e shpërthimit Gjergj Sokolajt i ka rënë pistoleta përdhe dhe Gazhani ka rendur për të marrë e fshehur armën. Kjo e ka tradhtuar atë tek dëshmitarët okularë të ngjarjes.
Pas kësaj dëshmie policia i ka vënë prangat në spital Kalthit dhe Sokolajt ndërsa Gazhani është dërguar në dhomat e paraburgimit. Dy të parët do të qëndrojnë në spital deri sa të marrin mjekimin e duhur por dera e dhomës së tyre do të ruhet gjithë kohës nga policia. Ata akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë të disa personave si dhe për armëmbajtje pa leje. Burime të policisë kanë bërë të ditur se objekti i i atentatit me granatë ka qenë çifti Ilir dhe Erjeta Lena. Hetuesit kanë hedhur poshtë motivin e atentatit për konkurrencë pasi kanë zbuluar se midis tyre kishte nisur pak kohë më parë një konflikt për motive të dobëta.
Të arrestuarit
Paulin Kalthi, autori i hedhjes se granatës, polic i Bashkisë Laç
Gjergj Sokolaj, bashkëpunëtor në krim dhe poseduesi i pistoletës
Kristo Gazhani, bashkëpunëtorë në krim dhe fshehës i provave të krimit
Të plagosurit
Ilir LenaErijeta LenaMarjan KorrikuArtan Mehja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›