E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura pasarel, mban peng 12 fshatra në Gramsh

19/10/2004  GRAMSH - Ura që lidh 12 fshatra të zonës së Sulovës me Gramshin dhe Elbasanin duket se nuk do të kryej për pak kohë këtë funksion, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar. Kushtet teknike të saj janë kthyer në një rrezik të vërtetë për banorët, të cilët do të duhet të mbahen mirë kur të kalojnë aty, pasi mundësia për të përfunduar në lumë është shumë e pranishme.

Ura e fshatit Zgjub, e ndërtuar vetëm 4 vjet më parë me fondet e PNUD-it, në bazë të projektit “armët në këmbim të zhvillimit”, nuk ka përfituar përkujdesje e riparime prej shumë kohësh dhe gjendja e saj aktuale lë për të dëshiruar. Njëra prej këmbëve të betonit është shkëputur nga konstrukti, ndërsa shtrati prej dërrasash është dëmtuar mjaft.

Banorët e Komunës Sult, e cila ka përfituar edhe investimin nga PNUD-i prej 80 milionë lekësh, janë më të prekur nga dëmtimi i urës, pasi i duhet të kalojnë çdo ditë aty duke lutur Zotin për kohë të mirë. Rreziku që sjell uji i rrëmbyeshëm dhe sidomos kalimi në këtë urë pasarel, që ka kushtuar mjaft për gjendjen e saj aktuale, është më tepër i pranishëm gjatë shirave si pasosjë e prurjeve të shumta. Të hollat e përdorura, sipas banorëve, nuk justifikohen për cilësinë e dobët të punimeve, të cilat kanë konsistuar në nivelin e gërmimeve për vendosjen e këmbëve të urës pasarelë dhe shtratit prej kavosh hekuri. Ata me shumë vështirësi arrijnë të kalojnë në anën tjetër dhe ankohen për zhdukjen e mistershme të fondeve, që duhet të kishin sjellë një urë të parametrave optimale.

Kryetari i komunës Sult, Kodhel Çala, mjaft i shqetësuar për rrezikun e dukshëm dhe të pranishëm për banorët e komunës së tij, nuk ka shpjeguar se si janë zhdukur fondet, por gjithashtu e ka quajtur cilësinë e punimeve tepër të dobët, duke sjellë edhe këtë dëmtim pas katër vjetësh rikonstruksion. Sipas tij, duhet një ndërhyrje e menjëhershme e shtetit, sepse fondet e kësaj komune nuk mund të përballojnë investimin që kërkon ura, dëmtimi i së cilës është i madh dhe nuk kërkon vetëm një riparim të thjeshtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›