Denoncon vjedhje, bie vet në pranga
DURRËS - Lajmëron policinë për të denoncuar një vjedhje, po përfundon vetë në komisariat. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme në rrethin e Durrësit, kur 22-vjeçari J.H., ka njoftuar policinë nëpërmjet sallës operative se tre persona të paidentifikuar kanë tentuar të vjedhin një gjenerator në një godinë pranë karburantit pronë e tij në fshatin Manëz. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje ku sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automatik model 56 si dhe një sasi gëzhojash. Po nga veprimet e para dyshohet se shtetasi J. H., i cili ishte dhe dëmtuari nga hajdutët pasi ka konstatuar personat që po tentonin të vidhnin gjeneratorin, ka qëlluar në ajër me automatikun që mbante pa leje. Pikërisht ky veprim të cilin ai kishte kryer për të ndaluar vjedhjen, e ka çuar atë për disa orë në qeli. Policia filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të tij pasi akuzohet për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet në drejtim të identifikimit të autorëve të tentativës së vjedhjes.
“Qerreti”, prangos dy personave, fshehën 4 kg drogë në gomën e makinës
KAVAJË – Dy persona nuk kanë arritur të çojnë deri në fund planin e tyre për të transportuar 4 kg Cannabis në gomat e makinës, pasi janë zbuluar dhe vënë në pranga. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut Tiranë bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, forcat e policisë së Kavajës, në kuadrin e operacionit të koduar “Qerret” kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Leonard Faskaj, 32 vjeç, lindur në Cakran Fier e banues në Tiranë si dhe Liridon Hyla, 20 vjeç, lindur në Pejë dhe banues në Tiranë. Mësohet se kapja e tyre u bë në autostradën Kavajë-Durrës, në afërsi të fshatit Qerret, ku pas një kontrolli të ushtruar nga forcat policore, të cilat kanë konstatuar të fshehur sasinë e drogës së lartpërmendur në automjetin e tyre me targë TR 1636 S në dy qese në vendin e gomës rezervë në bagazh. Ndërkohë, pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e Hylas është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasi prej 3 gramë lënde e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” në bashkëpunim.
Tenton të kaloj dy klandestin në Greqi, arrestohet i riu
GJIROKASTËR – Tentoi të kalonte ilegalisht dy persona për në Greqi, arrestohet Eugen Beca. Burime nga policia thanë se 24-vjeçari Beca, lindur dhe banues në fshatin Veliqot të rrethit Tepelenë u arrestua pasi është kapur nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë në afërsi të një karburanti, poshtë pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë, afër kufirit jeshil së bashku me dy shtetas të tjerë. Policia bënë të ditur se dy personat që shoqëronin Becën ishin, njëri nga rrethi i Fierit dhe një nga rrethit i Tiranës, të cilët po tentonin për të kaluar kufirin e gjelbër për në shtetin Grek në mënyrë të paligjshme. Menjëherë janë shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë për verifikime të mëtejshme, ku pas hetimeve të policisë rezultoi se Beca do t’i ndihmonte këta shtetas të kalonin kufirin e gjelbër për në shtetin grek në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 1000 Euro për person. Policia kreu të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale ndërsa u bë dokumentimi i plotë me prova ligjore për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit”.
Kërkohej për trafik droge, arrestohet në kufi Fatmir Kola
GJIROKASTËR – Prej një muaji ishte shpallur në kërkim për trafik droge, arrestohet në kufij. Policia Kufitare Kakavijë bënë të ditur se ka vënë në pranga një 37-vjeçar të shpallur në kërkim nga policia. Fatmir Kolo, lindur dhe banues në Gjirokastër, i dënuar më parë për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuara” po udhëtonte në drejtim të shtetit Grek dhe kur është paraqitur në sportelin e përpunimit të dokumenteve të qytetarëve në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë, ku ka rezultuar se ky ishte person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë për veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”. Mësohet se më datën 7 dhjetor të vitit 2009, në vendin e quajtur “Qafa e Gjashtës” Sarandë, në një aksion të policisë së Sarandës ku kanë ndjekur një automjet që transportonte lëndë narkotike, është bërë e mundur që të bllokohej dhe sekuestrohej një automjet ku brenda tij kishte nj sasi prej 165 kilogramë lënde narkotike marijuanë dhe të arrestohej drejtuesi i mjetit, ndërsa pasagjeri ka mundur të largohej. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana e policisë ka rezultuar se pasagjeri që ka qenë në këtë automjet ishte Fatmir Kolo dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim. U njoftua menjëherë Komisariati i Policisë Sarandë për të bërë shoqërimin e tij për veprime të mëtejshme për të zbardhur plotësisht këtë vepër penale.
15 Janar 2010