E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu, “Po” nënshtetësisë dhe të drejtave politike për imigrantët

ATHINË - Qeveria greke nuk do të bëjë asnjë hap prapa në çështjen e projektligjit për imigracionin, i cili i dhënë për diskutim publik, është vënë në shënjestër jo vetëm të ekstremit të djathtë, por edhe të vetë opozitës së djathtë dhe partisë së saj, Demokracia e Re. Kjo garanci u shpreh nga vetë kryeministri grek, Papandreu. Në konferencën e tij treorëshe dhënë gazetarëve vendas dhe korrespondentëve të huaj me rastin e “100 ditëve të para” të kabinetit të tij, Papandreu ishte tejet kritik ndaj politikës së të djathtës për imigracionin gjatë qeverisjes së saj. Ai kritikoi edhe qëndrimin e lidershipit të saj aktual ndaj nismës së socialistëve për dhënien e nënshtetësisë greke fëmijëve të imigrantëve dhe të drejtave politike prindërve të tyre me qëndrim të ligjshëm 5-vjeçar në zgjedhjet komunale. “Çuditem që Demokracia e Re ndoqi konceptin ultra të djathtë, sipas të cilit, fëmijët që lindën dhe u rritën këtu nuk kanë të drejtë të bëhen qytetarë grekë!” - tha Papandreu dhe shtroi pyetjen retorike: “T'i mbajmë në geto, si qytetarë të kategorisë së dytë?”. “Në qoftë se tjetri është i margjinalizuar, kjo nuk do të thotë se ti je i mbrojtur”, - shtoi Papandreu, për të theksuar në vijim se “Greqia vetëm ka për të fituar nga integrimi i imigrantëve”, - veçanërisht i atyre që kanë lindur në Greqi dhe kanë ndjekur shkollat greke.e

15 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›