E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset e kërkuara për trafikun e fëmijëve në Greqi

TIRANË – Merr fund arratia e gruaja, e cila u përfshi në një skemë trafikimi të fëmijëve duke përdorur procedura të birësimeve. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasja Zana Shoshari, e shpallur në kërkim dhe e dënuar nga Krimet e Rënda me akuzën e trafikimit të fëmijëve. Sipas tyre, operacioni u bë dje rreth orës 10:00 nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, ku u bë e mundur kapja e 30- vjeçare Shoshari, lindur në Bilisht Devoll dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, ndaj të arrestuarës, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendim të datës 17 shtator 2009, e ka dhënë dënimin me 4 vjet burgim, duke e akuzuar për veprën penale "kërkim ose marrje shpërblimi për procedurat e birësimit në bashkëpunim". Uniformat blu bëjnë të ditur se Shoshari është arrestuar pranë zonës së Shkozës, ku e arrestuara fshihej që në momentin që ishte shpallur në kërkim. Tashmë policia e kryeqytetit është duke hetuar lidhur me personat që mund ta kenë ndihmuar Shosharin gjatë arratisë së saj.

Akuza
Zana Shoshari është akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashkë me shtetasit Alfred Xhambazi, Ervehe Rizo dhe Dritan Sula kalonin ilegalisht në Greqi fëmijë romë duke i shitur më pas për shfrytëzim në shtetin helen. Hetimet kanë treguar se një fëmijë shitej për 1 mijë euro dhe më pas shfrytëzohej në Greqi për punë ilegale. Sipas prokurorisë mekanizmi kriminal ishte i tillë që i pandehuri Alfred Xhambazi hynte në kontakt me familjet rome të cilave u kërkonte t’i shisnin fëmijët duke u premtuar nga 1 deri në 4 mijë euro. Ai mashtronte, duke thënë se i kërkonte fëmijët për ti birësuar. Më pas ai merrte të miturit dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë i trafikonte në Greqi. Skandali në fjalë është zbuluar nga ana e një emisioni televiziv, gjatë të cilit shfaqeshin pamje filmike, ku bëheshin pazare për shitje të qenieve njerëzore.

Vendimi i Gjykatës
Prokuroria e Krimeve të Rënda, më datë 10.09.2007, depozitoi pranë Gjykatës, dosje penale në ngarkim të katër të pandehurve Alfred Xhambazi, Dritan Sula, Zana Shoshari dhe Ervehe Rizvo. Mbi ta rëndonin akuzat e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri” në bashkëpunim dhe “Kërkim ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit”. 2 vite më pas, më datë 17.09.2009, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi deklarimin fajtor të katër të pandehurve dhe dënimin e tyre me 6 vite burg për Alfred Xhambazin për veprën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri” në bashkëpunim; dënimin me 5 vite burg për Dritan Sulën për veprën e “Kërkim ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit”; dënimin me 4 vite burg për të sapo arrestuarën Zana Shosharit, për të njëjtën vepër penale si dhe dënimin me 5 vite burg për Ervehe Rizvon.

Masa, mbetet në qeli kasapi-vrasës

TIRANË - Nezir Malliku shprehu pendesën e tij dje para gjyqtarit të gatshëm për vrasjen me thikë para tri ditësh të Arben Gogës. “Kam qenë i pirë dhe i nervozuar prej zënkës që patëm kur autobusi ishte në lëvizje, më pas jam çorientuar nga nervozizmi dhe nuk isha në gjendje të mendohesha gjatë”. Mësohet se kështu e ka nisur 42-vjeçarin rrëfimin e tij, duke treguar kështu detaje të ngjarjes, por jo ndonjë masë më të lehtë. Prokurori kërkoi për të masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të vrasjes me paramendim. Sipas përfaqësuesit e akuzës, për këtë ngjarje janë më shumë se 17 dëshmitarë që tregojnë për mënyrën brutale se si u godit Goga me thikë në prezencë të bashkëshortes dhe të fëmijës së tij. Ngjarja ndodhi katër ditë më parë, në afërsi të “parkut të autobusave” në kryeqytet rreth orës 18.00. Sipas policisë, Arben Goga kishte pasur një zënkë në autobusin e linjës Ndroq-Tiranë, me 42-vjeçarin Nezir Malliku për shtyrjet mes pasagjerëve. Por, ky sherr banal nuk ka mbetur me aq. Nezir Malliku e ka vazhduar zënkën edhe jashtë autobusit, duke e goditur me thikë 37-vjeçarin Goga. Goditja ka qenë fatale për 37-vjeçarin, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital. Brenda një ore është bërë e mundur vënia në pranga e autorit të këtij krimi, 42-vjeçarit Nezir Malliku. Policia konfirmon se shtyrjet në autobus kanë qenë shkak i zënkës që më pas përfundoi në mënyrë tragjike.
e

15 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›