E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vdekja, për neglizhencë të nënës”

21/05/2005  Vdes 30-vjeçarja shtatzënë, prokuroria nis hetimet, mjekët jutifikohen

“Bëmë gjithçka që ishte e mundur për t’i shpëtuar jetën, por erdhi vonë”

LIBRAZHD - Një grua 30-vjeçare, në muajin e nëntë, ka gjetur vdekjen, pas dy orësh nga mbërritja në spitalin e Librazhdit. Gruaja e shoqëruar nga kunata e saj priste fëmijën e tretë dhe ishte në javën e fundit të shtatzënisë, por për shkak të disa dhimbjesh të forta ka mbërritur në spital, ku edhe ka gjetur vdekjen nga një hemorragji.

Flutura Hasa, 30 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, banuese në fshatin Qarrisht, rreth 20 km larg Librazhdit, i është nënshtruar disa analizave të para dhe i është bërë mjekimi paraprak. Por dy orë më vonë, pas një hemorragjie të madhe, ajo ka patur puls të dobët e, megjithë përpjekjet e mjekëve, gruaja në muajin e 9 të shtatzënisë ka gjetur vdekjen.

Rasti është konsideruar si i jashtëzakonshëm dhe gjithashtu janë bërë përpjekjet e para për ekspertizën mjeko-ligjore.

Ende nga organet zyrtare, të cilat po merren me hetimin, nuk ka dalë ndonjë përgjigje zyrtare, që mund të fajësojë personelin mjekësor për mungesë përgjegjësie dhe neglizhencë në punë, apo të përcaktojë nëse vdekja ka qenë e pashmangshme, si pasojë e moskujdesit mjekësor të duhur nga ana e gruas, që do të bëhej nënë këtë javë, për herë të tretë.

Rreth orës 22.30, u bënë analizat e rastit nga disa mjekë të spitalit të Librazhdit. Luan Meta, shef i shërbimit, Gjergji Dhano, shef i spitalit obsetrik, Avni Koçi, reanimator, kanë vlerësuar rastin, duke deklaruar se 30-vjeçarja ka gjetur vdekjen nga një hemorragji.

Ndërkohë, rreth orës 23.05, prokuroria e rrethit Librazhd ka marrë në dorë çështjen, duke marrë të gjitha dokumentacionet dhe duke pyetur mjekët roje dhe të gjithë dëshmitarët e tjerë.

Drejtorja e spitalit të Librazhdit ka dalë dje në një konferencë për shtyp, duke deklaruar se rasti në fjalë është vlerësuar dhe është hetuar për rëndësinë e tij, megjithëse nuk ka asnjë ankesë nga familjarët.

Hajrie Leka ka folur dje për gazetën “Metropol” në emër të drejtorisë së spitalit të Librazhdit duke sqaruar disa rrethana të vdekjes së 30-vjeçares shtatzënë. Ajo ka sqaruar të gjitha procedurat e kryera nga ana e bluzave të bardha për t’i shpëtuar jetën 30-vjeçares, si dhe gjithçka ka ndodhur më vonë. Leka ka rikujtuar dhe raste të ngjashme, që kanë ndodhur më parë, ku kanë humbur jetën gra në pritje për t’u bërë nëna.

Ku qëndron përgjegjësia e mjekëve për rastin e vdekjes së gruas shtatzënë?

Mjekët e spitalit të Librazhdit i kanë ardhur menjëherë në ndihmë gruas së mbërritur me dhimbje të forta dhe gjithashtu i kanë shërbyer me mjekimet e duhura, por, fatkeqësisht, hemorragjia dhe një lindje e vështirë kanë sjellë edhe vdekjen e saj. Ju siguroj se mjekët kanë bërë të pamundurën dhe gjithçka është e vërtetueshme. Fakti që familjarët nuk kanë pranuar asnjë ekspertizë, do të thotë se ata nuk kanë asgjë kundër mjekëve.

A ka patur raste të tjera të vdekjeve të ngjashme?

Po, nuk është i vetmi ky rast në spitalin tonë, por ka vite që ka ndodhur edhe një i ngjashëm. Ne jemi përgjigjur për të bërë të mundur të shpëtojmë nga raste të tilla jetën e njerëzve, por komplikacionet vijnë shpesh nga mungesa e vizitave. Gratë nga fshatrat e largëta nuk kryejnë vizitat e nevojshme dhe për këtë arsye ndodhin edhe komplikacione. Është e vërtetë që gruaja dy fëmijët e parë i ka lindur në shtëpi dhe kjo ndoshta është edhe një gjë për t’u marrë në konsideratë. Nevoja e analizave dhe konsultave për nënat është një domosdoshmëri dhe do të kërkoja nga të gjithë këto që raste të tilla të mos përsëriten.

Prokuroria ka nisur hetimet për rastin në fjalë?

Ne i kemi vënë në dispozicion të gjitha provat e duhura dhe jemi të gatshëm për gjithçka, për të vërtetuar se komplikacione të tilla ishin të paevitueshme së bashku me pasojat. Megjithatë, duhet të presim rezultatet e hetimeve, pavarësisht se familjarët nuk pranuan ekspertizën dhe gjithashtu nuk bënë denoncim ndaj mjekëve të spitalit.

Familjarët

S’pranojnë të kryejnë autopsinë

Familjarët e Flutura Hasës nuk kanë pranuar që e afërmja e tyre t’i nënshtrohet një autopsie të plotë, që mund të përcaktonte përfundimisht shkakun e vdekjes së 30-vjeçares. Megjithë rastin e jashtëzakonshëm të ndodhur në Librazhd, familjarët e viktimës kanë marrë trupin dje në mëngjes dhe nuk kanë pranuar të bëhet autopsia. Me dhimbjen për humbjen e gruas, që la jetimë edhe dy fëmijë, bashkëshorti i saj ka deklaruar se nuk ka ndërmend të vazhdojë autopsinë, duke hequr dorë nga vazhdimi i hetimeve për këtë rast. Megjithatë, prokurorja Fiqirete Hajdini ka deklaruar se do të vlerësohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

11 prill 2005/ Vajza 22-vjeçare

Vdes në muajin e tretë të shtatzënisë,

DURRËS - Dëshira për të lindur fëmijë ka qenë fatale për jetën

e një 22-vjeçareje, nga qyteti i Durrësit, e cila ishte e gatshme për t’u sakrifikuar në rast të një abordi. Megjithë dëshirën e saj dhe këshillat e herëpashershme të mjekëve nuk kanë mundur të bindin Kozeta Kuqin, vajzën durrsake, të heqë dorë nga këmbëngulja e saj për të lindur fëmijë. Mjekët e spitalit e kanë pasur të pamundur të shpëtojnë vajzën, pasi ajo ka këmbëngulur të mbajë me çdo kusht fëmijën. Përkundër pretendimeve të mjekëve, të afërmit akuzuan mjekët ëpr vdekjen e 22-vjeçares. “Kozeta vdiq për mungesë të ilaçeve në spital”. Nëna e 22-vjeçares Eli Buzi, bashkëshorti i Kozetës, Alban Kuqi dhe vjehrra e nuses, Leta Kuqi, kanë theksuar se kërkesa e mjekut për të abortuar fëmijën u është kërkuar vetëm në kohën që vajza kishte pësuar infarkt në zemër. Nëna e Kozeta Kuqit, Eli Buzi, mohoi që shkak i vdekjes të ishte problemi në zemër i vajzës së saj. Sipas saj, shkaku i vdekjes ishte i lidhur me mungesën e ilaçeve dhe medikamenteve në spital.

Vdiq nëna duke lindur 10 muaj më parë, dy të mitur dhe babai, protestojnë para

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›