Dënuar në ’86, janë ende në hetim për vjedhje të pronës socialiste

17/04/2005 Historia e dy të burgosurve në Spaç, të cilëve iu prish vendimi nga Gjykata e Lartë
TIRANË – Gjithçka mund të ndodhë nëse nuk je në gjendje ta dokumentosh. Në drejtësinë shqiptare ndodh edhe që ke vuajtur një dënim, më pas arrin të vërtetosh pafajësinë dhe të marrësh në dorë një vendim të Gjykatës së Lartë, që prish vendimin e dënimit dhe urdhëron hapjen e hetimeve nga e para. Por dhe në këto raste, vendimi i prishjes nuk merret parasysh dhe në regjistrin gjyqësor pranë Ministrisë së Drejtësisë, figuron i dënuar. Kështu ka ndodhur me dy ish-të dënuar me nga 3 vite burg për krimin e vjedhjes së pasurisë socialiste të mbetur në tentativë në bashkëpunim. Muhamet Sokoli dhe Nazmi Ahmataj janë të lodhur nga kjo çështje dhe gjithçka ia kanë lënë në dorë avokatit Ylli Kameri.
Historia
Muhamet Sokoli dhe Nazmi Ahmataj janë nga Tropoja, përkatësisht nga fshatrat Dragobi dhe Margegaj. Në vitin 1986, me vendim të Gjykatës së rrethit Tropojë, ata dënohen me nga tre vite burg për veprat penale të vjedhjes së pasurisë socialiste të mbetur në tentativë në bashkëpunim. Dhe pse gjatë gjyqit të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën, gjykata ka vendosur t'i dënojë, duke marrë për bazë disa dëshmi. Masa e dënimit u krye nga dy të dënuarit. Kanë punuar tre vjet në burgun e Spaçit, duke u detyruar të plotësojnë normën ditore në nxjerrjen e mineralit të bakrit. Lirohen pasi kryejnë tre vite burg në vitin 1989. Pra, ata u dënuan në 20 qershor 1986, ndërsa vuajtja e dënimit filloi në datën 6 mars 1986, ditë kur u ndaluan.
Ankimi
Të bindur se nuk kishin kryer asnjë vepër penale dhe se provat në dosje u manipuluan, dy të dënuarit bënë ankim tek ish-zëvendës prokurori i përgjithshëm, Gani Dizdari, në vitin 1992. Ky i fundit, pasi shqyrton dosjen, bën kërkesë në Gjykatën e Lartë për mbrojtje ligjshmërie. Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nga Lili Robo, Viktor Ikonomi dhe Metush Saraçi, në datën 11 mars 1992, vendosë të prishë vendimin e Gjykatës së rrethit gjyqësor Tropojë për dy të dënuarit dhe të kthejë dosjen për hetime të tjera në Prokurorinë e rrethit Tropojë. Vendimi, sipas Kolegjit të Gjykatës së Lartë, u prish për dy arsye. Provat kryesore me të cilat u vunë para përgjegjësisë penale dy të pandehurit, sipas Gjykatës së Lartë nuk ishin bindëse. Si gjurmët e gishtave, ashtu edhe dëshmitë, ka vendosur Gjykata e Lartë se kanë qenë të manipuluara. Por, edhe pse vendimi u prish dhe dosja u kthye për hetime të tjera, edhe sot e kësaj dite me të nuk është kryer asnjë veprim. Dosja ruhet në arkivin e prokurorisë së Tropojës, e cila me anë të një shkrese të lëshuar në datën 17 janar 2005, të nënshkruar nga prokurori i rrethit, Besim Hajdarmataj, shprehet se ndaj dy personave të lartpërmendur nuk ka asnjë ndjekje penale. Të ndodhur në këto kushte, kur në duart e dy të dënuarve gjenden njëkohësisht dy vendime, ai i vitit 1986 për dënim dhe ai i vitit 1992 për prishjen e tij, është kërkuar dëshmia e penaliteteit në Ministrinë e Drejtësisë. Megjithëse vendimi i dënimit është prishur dhe çështja është rikthyer për hetime të mëtejshme, në datën 26 janar 2005, dy personat e interesuar për të zgjidhur mosmarrëveshjen me drejtësinë, kanë mësuar se figurojnë në regjistrin e dënimeve të Ministrisë së Drejtësisë, të dënuar nga gjykata e Tropojës në datë, 20 qershor 1986.
Sollaku urdhëron mbylljen e hetimeve
Muhamet Sokoli dhe Nazmi Ahmataj janë njëkohësisht të dënuar me vendim të vitit 1986 edhe persona për të cilët vazhdojnë hetimet me vendim të Gjykatës së Lartë të datës 11 mars 1992. Prej disa kohësh, të interesuarit i kanë kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, zgjidhjen e konfliktit të shkaktuar, por kanë arritur të marrin përgjigje vetëm para dy ditësh. Prokurori Theodhori Sollaku ka urdhëruar mbylljen e hetimeve për dy ish-të dënuarit, duke komunikuar kalimin e afateve. Tashmë mbetet i pazgjidhur statusi i personave që vuajtën dënimin për tre vjet në burgun e Spaçit. Nuk dihet nëse këta persona duhet të mbeten të dënuar apo duhet të quhen të pafajshëm.
Ahmataj, kam 19 vjet pa marrë drejtësi
Nazmi Ahmataj tregon për gazetën "Metropol" se ndodhet në një situatë të pazgjidhur që prej 19 vjetësh. Ka bërë rrugën Tropojë-Tiranë me qindra herë, vetëm për të ditur gjendjen e tij gjyqësore. Është i shqetësuar se ka trokitur në çdo derë, duke patur në duar shkresa dhe vendime, por deri tani duket i pafat. I ka humbur shpresat se një ditë do të deklarohet i pafajshëm dhe do të mund të kompensohet për të gjithë punën që ka kryer në burgun e Spaçit. "Kam punuar për tre vite me radhë në tunelet e nëndheshme të Spaçit. Kam qenë i detyruar të plotësoja normën ditore, që ishte 16 vagona të mbushur me bakër. Në fund të muajit jam shpërblyer vetëm me 600 lekë të vjetra. Isha i detyruar të plotësoja normën, se në të kundërtën ndëshkohesha. Ndërsa në vetvete isha i bindur se dënimi që m’u dha ishte i manipuluar dhe pa asnjë provë". Ahmataj tregon ashtu si është përshkruar edhe në vendim, se gjyakata ka gjetur në vendin e ngjarjes gjurmët e gishtave të njërit person. Më pas këto gjurmë janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë, e cila saktëson se xhami i dërguar në laborator përshkruhet në dy procesverbale me dimensione të ndryshme. Edhe dëshmitë janë quajtur kontradiktore. Ahmataj tha se janë dënuar në bazë të dy dëshmitarëve, të cilët kanë thënë se nuk kanë parë asgjë, por ngjarjen ia kanë treguar dy persona të tjerë.