E Hënë, 2 Nëntor 2026

Politikë dhe drejtësi, jo dhunë në Kosovë

17/04/2005  Vrasja e njërit prej pjesëtarëve të familjes së njohur Haradinaj, në Kosovë, ka rikthyer në skenë tensionin dhe pasigurinë atje. Situatën e rëndon akoma më shumë fakti se kjo vrasje realizohet në kontekstin e disa zhvillimeve të kohëve të fundit, të lidhura me politikën në Kosovë. Në raste të tilla, dikush është i interesuar të sjellë tronditje, pse jo, mundësisht edhe trazira. Vetëm pak kohë më parë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen dhe u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për t’u përballur me akuzat e saj për krime lufte. Opinioni i brendshëm në Kosovë, por edhe ai ndërkombëtar e përshëndeti këtë gjest, të cilin, përveçse kurajoz, e quajti edhe si një hap në drejtimin e duhur për zhvillimin e procesit politik në Kosovë. Pas publikimit të akuzave nga ana e Hagës, për ish-kryeministrin kosovar dhe dy ish-bashkëluftëtarë të tij, u bë e qartë se ato akuza janë ngritur kryesisht mbi të dhënat e policisë serbe, çka nënkupton faktin e njëlloj anshmërie dhe politizimi të këtij procesi

Historikisht, në çdo vend të botës kur ka qenë fjala për të luftuar për interesa të mëdha kombëtare, familje të veçanta kanë mbajtur peshën më të madhe në luftë, kanë sakrifikuar më shumë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kosovë, me familjet Jasharaj, Haradinaj etj., të cilat, për shkak të kontributit esencial që kanë dhënë gjatë luftës, për shkak të sakrificave të mëdha që kanë përjetuar, janë futur në rangun e familjeve të mëdha. Por, shpesh herë, për shkak të shumë koniunkturave të brendshme dhe të jashtme, përveç individëve me kontribut të veçantë, janë familjet e mëdha që duhet të sakrifikohen edhe në paqe.

Shkuarja e ish-kryeministrit Haradinaj në Hagë, me siguri i ka shërbyer dikujt jo vetëm si një përpjekje për të diskretituar vlerat e luftës së madhe, por edhe si një veprim i dobësimit të familjes së madhe Haradinaj, e pse jo edhe për të goditur për vdekje njërin prej pjesëtarëve të kësaj familjeje, Enver Haradinajn, ish-pjesëtar aktiv i UÇK-së dhe invalid i luftës së Kosovës. Kjo ngjarje tregon qartazi, se në Kosovë ka qarqe të interesuara për të shuar sa më shumë pjesë të historisë së gjallë të Kosovës.

Pa asnjë dyshim mund të thuhet se ngjarja në fjalë, më shumë se kujtdo tjetër do t’ju shërbejë, për një kohë të gjatë, atyre që duan të krijojnë bindjen se në Kosovë nuk ka stabilitet, nuk ka siguri as për vetë shumicën shqiptare, e le më pastaj për pakicën serbe. Në një vend ku në mes të një rruge kryesore kombëtare, në mes të ditës, vriten njerëz të njohur për kontributet e tyre, vështirë të besohet qytetari i thjeshtë është i sigurtë.

***

Vrasja e Enver Haradinajt duhet vlerësuar edhe në një kontekst më të gjerë të zhvillimeve në Kosovë. Vetëm 3-4 ditë më parë, një organizatë e vetëquajtur “Sigurimi i atdheut”, nëpërmjet një mesazhi në disa redaksi gazetash, kërcënonte me eliminim disa figura të njohura të politikës kosovare, për shkak se, sipas kërcënuesve, kishin dorë në akuza ndaj “Qeverisë së pavarësisë së Kosovës” dhe posaçërisht ndaj njërit prej qeveritarëve të sotëm. Kërcënuesit e deklaronin hapur se të gjithë ata që do t’i kundërviheshin qeverisë dhe Presidentit Rugova (qoftë edhe politikisht) do të jenë të kërcënuar me vdekje. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për kërcënim më absurd, në një vend pluralist! Një organizatë e tillë është shfaqur për herë të parë si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e disa personave apo personaliteteve afër LDK-së, pas luftës. Por ajo çka është më e trishtueshmja, ka të bëjë me faktin se sot vihen në qendër të kërcënimeve disa nga personalitetet më të njohura në Kosovë, për kontributin e tyre jo vetëm politik, por edhe civil dhe intelektual. Pra, kërcënuesit (që për fat të keq besohet se ekzistojnë realisht dhe mesazhi nuk është provokim), me naivitet e zbulojnë se nga vijnë kërcënimet, pra zbulojnë sfondin politik të tyre dhe kundër kujt drejtohen ato. Është përgjegjësi e atyre në emër të të cilëve vijnë mesazhet, që të shprehen publikisht dhe me veprime në drejtim të kundërt të këtyre marifeteve. Por sigurisht që është përgjegjësi, sidomos e organeve të rendit e drejtësisë në Kosovë. Përndryshe, mund të ndodhin katrahura. Kosova është vendi që më së shumti sot ka nevojë për politikë dhe drejtësi, e jo për dhunë. Por duhet kuptuar se politika i përmban të gjitha: që nga alterantivat qeverisëse, luftën parlamentare, tubimet paqësore demokratike, e deri tek akuzat, politike ose jo etj., dhe se akuzat nuk mund të hiqen nëpërmjet dhunës, por nëpërmjet përballjes me drejtësinë.

***

Ngjarja e bujshme, e ndodhur para dy ditësh, po tregon çdo ditë e më tepër se koalicioni i realizuar mes LDK-së dhe AAK-së, është gjithnjë i kërcënuar të shpërbëhet, qoftë edhe për shkak të ndarjeve të thella që ekzistojnë mes këtyre dy partive në trajtimin e së kaluarës së afërt. Pavarësisht nga tendenca për ta paraqitur këtë vrasje si një rrjedhojë e ndonjë zënke familjare, ajo ka një sfond shumë të thellë politik. Enver Haradinaj para së gjithash ka pasur meritat e tij personale në luftë. E nëse këto merita vendosen në një plan më të gjerë, që lidhet me familjen dhe të afërmit e tij, por dhe me luftën në përgjithësi, atëherë gjithçka ndryshon dhe merr përmasa të tjera. Sidoqoftë, për momentin, është e rëndësishme gjetja e vrasësve dhe zbulimi i motiveve. Gjetja e vrasësve të Haradinajt, jo vetëm që do të lehtësonte dhimbjen e familjarëve të tij, por do të ishte një veprim shumë domethënës për zhvillimet e mëtejshme në Kosovë, një veprim që do të nxirrte në pah shumë problematika, do të zbulonte shumë plagë të shoqërisë së sotme kosovare, por edhe do të krijonte mundësi për një reflektim të madh të të gjithëve. Përndryshe, nëse autorët do të vazhdojnë të mbeten të pazbuluar, si edhe në raste të tjera, atëherë Kosova do të mbetet e kërcënuar nga krimi.

***

Shoqëria kosovare ka nevojë për rikuperim të shpejtë si çdo vend tjetër i dalë nga një luftë e tmerrshme, nga e cila një pjesë e madhe e shoqërisë ka mbetur e gjymtuar. Por është për të ardhur keq se, sa herë që zhvillimet shikohen shpresëdhënëse, duhet të ndodhë diçka në drejtim të kundërt, që të trondisë opinionin publik. Kosova është para një ngjarjeje të madhe: vlerësimit të standardeve dhe fillimit të bisedimeve për statusin, ose ashtu siç e deklaruan edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, është para hapit të parë që nënkupton fillimin e procesit të shkëputjes së saj nga Serbia. Pra, ky vend po hyn në një proces shumë të rëndësishëm politik, i cili është i vetmi që mund ta çojë atë përpara. Të gjithë qytetarët e Kosovës, të të gjitha kombësive, duhet të dinë mirë një gjë, se dhuna është veprimi më i keq i mundshëm për të ardhmen e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›