E Diel, 1 Nëntor 2026

Departamenti Amerikan i Shtetit: “Gërdeci ishte një incident”

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tom Casey, ka deklaruar dje se Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron shpërthimin e rëndë në Gërdec si një incident dhe jo si finalizimin e ndonjë sulmi të paramenduar. “Pikësëpari i shprehim ngushëllimet tona viktimave të kësaj ngjarjeje, ai ishte një incident i ndodhur në një depo armësh në Shqipëri. Me sa di unë, hetuesit po punojnë ende me këtë çështje. Kjo nuk ishte një ngjarje që ndodhi si rezultat i ndonjë sulmi ose akt i paramenduar. Por megjithatë ne do t’ua lëmë në dorë autoriteteve shqiptare të zbardhin detajet e ngjarjes. Lidhur me përfshirjen e politikës dhe dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, këto natyrisht janë çështje të brendshme me të cilat natyrisht do të merret qeveria shqiptare. Por nga ana tjetër duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që këto lloj fabrikash të jenë të sigurta dhe incidente të tilla të mos ndodhin më”, - është shprehur Casey. Pak ditë më parë, Ambasada Amerikane i ka dhënë dritën jeshile kërkesës së kryeprokurores Ina Rama për ndihmë nga organet hetimore të FBI-së. “Pas shpërthimeve të fuqishme në fshatin Gërdec të Vorës, autoritetet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë mësuar për ekzistencën e një kompanie amerikane me emrin “Southern Ammunition Company, Inc.” (SAC), e cila qendrën e saj e ka në Karolinën e Jugut. Selia diplomatike ka bërë të ditur se ka marrë kërkesën nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila aktualisht kërkon të hetojë rolin e mundshëm të SAC në këtë tragjedi. Menjëherë pas kësaj kërkese, Ambasada e SHBA-së ka shprehur gatishmërinë e saj duke vepruar në çdo mundësi të saj për të ndihmuar hetimin e prokurores së Përgjithshme”, - ka bërë të qartë Ambasada.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›