Trafiku i armëve, gjurmët të çojnë te supertrafikanti rus
A është në lojë rusi famëkeq Viktor Bout?. Çfarë e lidh MEICO-n me boshnjakun Çengiç?
Habjon Hasani
Skandali që ka “shpërthyer” qeverinë shqiptare mund ta ketë zanafillën diku në Tailandë, ku dy javë më parë është arrestuar lordi i luftës Viktor Bout. Viktor Bout është një ndër personat më “të frikshëm”, i cilësuar si “Zoti i luftërave”, për shkak të shitjes së armëve që i ka bërë shumë vendeve në embargo deri dhe organizatave terroriste. Një raport special i NATO-s, i cili gjendet madje edhe në faqen e saj zyrtare, flet për një bashkëpunim të hershëm mes Viktor About dhe ish-deputetit boshnjak Hasan Çengiç. Ky i fundit është cilësuar në të njëjtin raport të NATO-s si “kërthiza e armëve” dhe si njeriu që e ktheu Bosnjen në “bursën” ndërkombëtare të marrëveshjeve për armatimin. Një vit më parë, organizata “Amnesty International”, por edhe disa agjenci të huaja qeveritare, në raportet e tyre kanë theksuar se dy ortakët e vjetër kanë organizuar në vitin 2006 një fluks dërgesash në Irak dhe Afganistan, ndërsa nga mesi i vitit 2006 është kapur një avion me armatime të rënda që do të shkonte drejt Irakut. Agjencitë e inteligjencës kanë nisur hetimet dhe është mësuar se avioni ishte pjesë e flotës ajrore të rusit Bout, ndërsa siguruesi i municionit ishte boshnjaku Çengiç.
Dosja “Çengiç”
Hasan Çengiç rezulton të jetë ish-deputet i Bosnje-Hercegovinës dhe ish-ministër i Mbrojtjes i këtij vendi. Por ndër të tjera Çengiç rezulton të jetë edhe njëri prej drejtuesve kryesorë të asaj që njihet si “qarku boshnjak”. “Qarku boshnjak” njihet ndërkombëtarisht si përpjekja e realizuar e ish-presidentit Alia Izetbejgoviç për krijimin e një shteti islamik të Bosnje-Hercegovinës. Hasan Çengiç përfaqësonte krahun e armatosur të kësaj përpjekjeje. Gjatë viteve të luftës në vitet ‘90 në Bosnje-Hercegovinë, Hasan Çingiç nuk ka jetuar kurrë në Bosnje, por ka jetuar në Iran dhe Turqi. Megjithëse larg vendit të tij, Çengiç ka drejtuar asokohe të gjitha operacionet për furnizimin me armë të luftëtarëve boshnjakë. Duket se këto karakteristika të boshnjakut Çengiç koincidojnë në dy momente domethënëse me shtetin shqiptar.
Lidhja
Një tjetër raport zyrtar i NATO-s (nato.int/acad/fellow/97-99/lederer.pdf), i botuar në vitin 1999, hedh dritë lidhur me qarqet proislamike në Ballkan ku ndërsa në Bosnje Çengiç cilësohej si personazh i dorës së parë, në Shqipëri përmendej ish-presidenti Sali Berisha. “Në periudhën e presidentit Berisha pati një shtim të madh të fondacioneve, të cilat kishin të ardhura financiare të siguruara nga organizatat terroriste”, - shkruhet për Shqipërinë. Ndërkohë që për Bosnjen shkruhet: “Një pjesë e fondeve të ardhura nga prurjet terroriste në Bosnje u menaxhuan nga Hasan Çingiç”. Sakaq, periudha për të cilën flitet (1992-1996) përkon edhe me përfshirjen e ndërmarrjes shtetërore shqiptare MEICO, e cila ka transportuar asokohe sasi të konsiderueshme municioni në Bosnje dhe jo vetëm. Por asokohe, sikurse është faktuar, të gjitha operacionet e shitblerjes së armëve janë drejtuar totalisht nga Hasan Çingiç, kështu që këto indicie flasin për një “linjë” të vjetër bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe “faktorit” Çengiç. Gazeta “Albania” do të botojë së shpejti një pjesë të mirë të shitjeve që janë bërë asokohe nga MEICO ku, përveç transfertave në Bosnje, janë regjistruar dhe transferta të kësaj kompanie shtetërore në Sudan, Afrikë dhe në Azi. Çuditërisht, raportet ndërkombëtare kanë faktuar se pikërisht në këto vende asokohe ortakët Viktor Bout dhe Hasan Çengiç kanë kryer operacionet më të rëndësishme të trafikimit të armëve.
Armët shqiptare, dy linja të ndryshme trafiku
Skandali “Gërdeci”, që ka përfshirë Shqipërinë, duket se ka nxjerrë në pah dhe dy linja të ndryshme trafiku. Një zyrtar i lartë i huaj, i cili ka dijeni për zhvillimet, i ka thënë “Albania”-s se të dhënat konsistojnë në dy pista dhe linja të shkëputura trafikimi të armëve. “Linja e parë është gjobëvënia që i është bërë qeverisë amerikane dhe kjo nuk ka ndonjë lidhje të faktuar me manifakturën e Gërdecit. Kjo manifakturë mbante dhe përgatiste dhe predha të ndryshme ose armë të përmasave të mëdha. Ndërkohë që kontrata mes Ministrisë suaj të Mbrojtjes dhe Departamentit Amerikan të Mbrojtjes ishte fokusuar kryesisht në blerjen e fishekëve. Zbulimi i municioneve kaq të rënda në Gërdec automatikisht pjell një linjë të dytë të mundshme trafikimi të armëve”, - ka deklaruar dje për “Albania”-n zyrtari i huaj, i cili për mëse gjashtë muaj ka qenë në dijeni të zhvillimeve që kulmuan me botimin e bisedave të regjistruara telefonike. Lidhur me këto të fundit, ai i ka thënë “Albania”-s: “Kam informacion se botimi i tyre ka qenë i kufizuar. Sipas asaj që di unë, pjesë të bisedave janë censuruar, por nuk mund të siguroj se çfarë thuhej në këto pjesë. Kur jemi informuar para disa muajsh për këto zhvillime, kemi patur informacion jo vetëm për përgjime elektronike, por edhe për fotografime dhe përgjime ambientale të bëra në momentet e debatimit për pazare mes faktorëve të këtyre dy çështjeve”, – është shprehur zyrtari i huaj.
22 Mars 2008